Arsimi dhe Bashkimi kanë barazuar me rezultat 1:1 në ndeshjen e javës së 31-të të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut në futboll.
Në stadiumin e Gostivarit, skuadra e Arsimit ishte më e mirë në pjesën e parë dhe kaloi në epërsi 1:0, ndërsa Bashkimi në pjesën e dytë u tregua më aktiv dhe arriti të barazojë rezultatin.
Goli i parë u shënua në minutën e 6-të pas një topi të dërguar drejt Ramadanit, i cili arriti ta kalojë mbrojtësin kundërshtar dhe të shmangë pozitën jashtë loje, për të realizuar më pas me një goditje të fuqishme në rrjetën e
Jasharit, duke sjellë festë te tifozët vendas.
Edhe pse asistenti fillimisht e anuloi golin për ofsajd, pas reagimit nga VAR-i dhe verifikimit të aksionit, goli u pranua si i rregullt.
Në minutën e 18-të, pas një topi të gjatë drejt Sikirut, spanjolli Goni goditi me kokë, por portieri Jashar reagoi me sukses.
Në fund të pjesës së parë, Ramadani pati edhe një rast të mirë, por nuk arriti të shënojë.
Në fillim të pjesës së dytë, Bashkimi fitoi penallti, por goditja e Nikel Orr përfundoi në traversë. Në minutën e 58-të, Aleksovski u gjend në pozitë ideale për gol, por Siljanovski intervenoi shkëlqyeshëm.
Në minutën e 70-të, pas kornerit të ekzekutuar nga Fusnik Zuka, Orr ishte më i larti në zonë dhe me goditje me kokë barazoi rezultatin në 1:1.
Deri në fund të ndeshjes pati raste nga të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Dy xhiro para përfundimit të kampionatit, të dy ekipet gjenden jashtë zonës së barazhit dhe vazhdojnë të kenë gjasa reale për ta siguruar mbijetesën direkte në ligë edhe për sezonin e ardhshëm.
Në xhiron e ardhshme, Arsimi do të luajë si mysafir ndaj Sileksit në Kratovë, ndërsa Bashkimi do të jetë nikoqir i Makedonija GjP.
Bashkimi renditet në vend të gjashtë me 41 pikë e Arsimi gjendet një pozitë më poshtë me një pikë më pak.