Fusha e futbollit e KF Vllaznimi 1972 nga fshati Orizare i komunës së Likovës nga kjo e enjte merr emrin Vaid Saiti, në shenjë nderimi të ish-kryetarit të kësaj komune, veprimtarit të çështjes kombëtare dhe ish-lojtarit të këtij klubi.
Po kush ishte Vaid Saiti, emri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm te Vllaznimi, por edhe në gjithë komunën e Likovës, shkruan Open-TV. Biografi e shkurtër: Vaid Nijazi Saiti lindi në vitin 1951 në Orizare të komunës së Likovës.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa arsimimin e lartë e vazhdoi në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Gjatë jetës së tij profesionale ushtroi detyra të rëndësishme në fushën ekonomike dhe menaxheriale. Ai punoi si shef i financave në ndërmarrjen e këpucëve ÇIK në Kumanovë, ndërsa më vonë drejtoi ndërmarrje të ndryshme, si “Karadaku” në Likovë, “Bashkimi”, Fabrikën e Këpucëve “Doruntina” në Llojan dhe Ndërmarrjen e Pyjeve në Kumanovë.
Në periudhën 1996–2000, Vaid Saiti shërbeu si Kryetar i Komunës së Likovës, duke dhënë kontribut në zhvillimin institucional, shoqëror dhe lokal të komunës.
Përveç veprimtarisë profesionale dhe publike, ai u dallua edhe për mbështetjen ndaj arsimit shqip, sportit, kulturës dhe aktiviteteve shoqërore në rajonin e Likovës dhe Kumanovës.
Për kontributin e tij ndër vite, u nderua me shumë mirënjohje nga institucione arsimore, kulturore, sportive dhe shoqërore. Vaid Nijazi Saiti ndërroi jetë më 19 shtator 2020, duke lënë pas një emër të respektuar dhe një trashëgimi të çmuar për familjen, vendlindjen dhe komunitetin..