Një spanjoll për stolin e Milanit

Futboll

Një spanjoll për stolin e Milanit

Më: 26 maj 2026 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Pas fazës së parë të revolucionit te Milani, e cila solli largimin e të gjithë stafit drejtues dhe teknik, klubi ka nisur menjëherë punën për fazën e dytë që përfshin zgjedhjen e trajnerit të ri.

Pronari Gerry Cardinale i ka besuar menaxhimin e zonës teknike Zlatan Ibrahimovicit, i cili ka vendosur si prioritet gjetjen e pasuesit të Massimiliano Allegrit përpara emërimit të administratorit të ri dhe drejtorit sportiv.

Gjatë orëve në vijim, në Londër është programuar një takim zyrtar mes Ibrahimovicit, Cardinales dhe trajnerit spanjoll Andoni Iraola, i cili shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës. Iraola vjen pas një eksperience pozitive trevjeçare në krye të Bournemouth, ku arriti vendin e gjashtë në Premier League dhe kualifikimin në Europa League.

Tekniku 43-vjeçar ka mbyllur bashkëpunimin me klubin anglez dhe nga data 30 qershor do të jetë zyrtarisht i lirë, ndërsa vlerësohet si një profil i favorshëm edhe nga pikëpamja ekonomike për arkat e klubit milanez.

Megjithatë, Ibrahimoviq mban të hapura edhe disa alternativa të tjera të rëndësishme në rast se bisedimet me spanjollin dështojnë.

Mes emrave të tjerë të përzgjedhur spikasin Xavi, i cili është i lirë që prej largimit nga Barcelona në vitin 2024, dhe holandezi Mark van Bommel. Një tjetër mundësi që po qarkullon është edhe ajo e Thiago Mottas, i cili mbetet ende nën kontratë me Juventusin pas shkarkimit të tij gjatë sezonit të kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat