Kombëtarja shqiptare do të nisë këtë të enjte zyrtarisht epokën e Rolando Maran, kur trajneri i ri do të publikojë listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
62-vjeçari që mori drejtimin pas largimit të Silvinjos pritet që të konfirmojë një pjesë të madhe të organikës së lojtarëve, por nuk përjashtohen risitë dhe figurat e reja që do të veshin fanellën kuqezi.
Ndryshime pritet të ketë në portë, ku Thomas Strakosha i dëmtuar do të humbasë dy sfidat miqësore dhe për këtë arsye trajneri do të afrojë në Kombëtare portierin e Partizanit, Pano Qirko.
Gjithashtu një tjetër emër i ri është 22-vjeçari Luis Hasa, i cili kohë më parë u largua nga Italia për të zgjedhur Kombëtaren shqiptare. Mesfushori është në pronësi të Napolit dhe këtë sezon ka qenë i huazuar te Karrarese.
Edhe në sulm do të rikthehet Kristjan Shpendi, 23-vjeccari që këtë vit shkëlqeu me Çezenën në Serinë B me 12 gola dhe 5 asiste. Ai ka debutuar me kuqezinjtë në miqësoren kundër Gjibraltarit.
Lista e Kombëtares do të publikohet të enjten në orën 10, ndërsa trajneri Maran do të zhvillojë edhe konferencën përpara mediave. Shqipëria do të luajë kundër Izraelit më 3 qershor dhe 3 ditë më vonë me Luksemburgun. Të dyja ndeshjet zhvillohen në “Air Albania”.