Dilema e Nagelsman për Botërorin

Futboll

Dilema e Nagelsman për Botërorin

Më: 29 maj 2026 Në ora: 11:13
GJermania

Komanda të shkurtra, komunikim i qartë, Julian Nagelsman nuk ka kohë për të humbur pak para nisjes së Kupës së Botës. Dhe kështu, fillimi i stërvitjes ishte gjithçka tjetër përveçse një nxehje e qetë për lojtarët e kombëtares gjermane, të udhëhequr nga kapiteni Xhoshua Kimish. Ishte një nisje e zjarrtë me intensitet të lartë, veçanërisht në luftën për pak vendet e mbetura bosh në formacionin titullar.

Trajneri i kombëtares nuk po fokusohet te objektivi afatgjatë për të arritur finalen, por te hapat e parë drejt saj. “Mesazhi më i rëndësishëm” në mbledhjen e parë të ekipit ishte “që detyra e radhës, hapi i radhës, është gjithmonë ajo që ka rëndësi”.

Kjo do të thotë ndeshja parafundit testuese e Botërorit të dielën në Mainz kundër Finlandës. Përveç rikthimit të Manuel Nojer dhe sulmuesit Kai Havertz, i cili ende është i angazhuar me Arsenalin në finalen e Ligës së Kampionëve, të gjithë lojtarët e tjerë të grumbulluar ishin në fushën stërvitore të enjten. Dhe stërvitja ishte energjike dhe e zhurmshme. Formacioni titullar i Nagelsman është kryesisht i vendosur.

Pozicioni i portierit numër një i përket sërish Nojerit, edhe pse ai ende po zhvillon stërvitje individuale rehabilituese për shkak të problemeve në pulpë. Para tij, kapiteni Kimish, Tah, Niko Shloterbek dhe David Raum do të formojnë katërshen mbrojtëse. Në sulm, tre nga katër vendet titullare janë gjithashtu të konfirmuara: Havertz, Florian Virtz dhe Jamal Musiala, i rikthyer pas dëmtimit të gjatë.

Në thelb, mbeten vetëm tre pozicione që po diskutohen fort: dy mesfushorët defensivë qendrorë dhe krahu i djathtë.

Dhe seanca e parë stërvitore mund të ketë dhënë disa sinjale. Feliks Nmeça i Dortmundit, për të cilin Nagelsman kishte pritur gjatë pas një dëmtimi në gju në mars, bëri shumë paraqitje të dukshme, prania e tij ishte mbresëlënëse. Nmeça po konkurron me dyshen e Bajernit, Pavloviç dhe Leon Goretzka, për pozicionin në qendër të mesfushës.

Përplasja e brezave mes Leroj Sané (30) dhe Lenart Karl (18) është interesante. Të dy luajtën në krahun e djathtë gjatë stërvitjes, por talenti i Bajernit, Karl u vendos përkrah mesfushorëve të konsoliduar Musiala dhe Virtz. A është kjo më shumë sesa një sinjal? A është Karl tashmë më shumë sesa thjesht një zëvendësues? Gjithçka rreth formacionit titullar do të vendoset në javët e ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat