Iraku befason Spanjën

Futboll

Iraku befason Spanjën

Më: 4 qershor 2026 Në ora: 23:22
Pamje nga ndeshja

Spanja barazoi (1:1) ndaj Irakut para nisjes për në Botëror.

Ishte logjike të pritej që përzgjedhësi Luis de la Fuente t’u shpërndante minutat lojtarëve të tij, por ai habiti duke futur në formacionin startues dy futbollistë që iu bashkuan ekipit kombëtar vetëm si ndihmës në stërvitje: Jon Martín dhe Marc Bernal.

Edhe pse ata meritojnë respekt, ashtu si edhe shtatë bashkëlojtarët e tjerë rezervë, habiti fakti që në fushë nuk u pa një ekip i përbërë vetëm nga futbollistë që tashmë e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

Pa Nico Williamsin dhe Lamine Yamalin në fushën e Riazorit, të cilët po rikuperoheshin pas ngarkesës së javës së kaluar, Ferran Torres dhe Álex Baena morën rastin në krahët e sulmit spanjoll.

Kjo solli më pak shpejtësi dhe më shumë lojë përmes qendrës, duke ofruar një variant tjetër taktik.

Në majën e sulmit ishte futbollisti Borja Iglesias, që shpresonte të dëshmohej para publikut vendas si një golashënues tipik, ndërsa tifozët ia falën faktin që luan për Celtan.

Përfitimi më i madh nga një kundërshtar si Iraku qëndronte në faktin se qasja e tyre mbrojtëse mund të krahasohej me atë që Spanja pritet të hasë në dy ndeshjet e para të Kupës së Botës kundër Ishujve të Kepit të Gjelbër dhe Arabisë Saudite.

Edhe pse secila prej këtyre skuadrave ka stilin e vet, është shumë e mundshme që Spanja të dominojë posedimin e topit. Borja ishte i etur për gol, por aksioni i parë serioz erdhi pas bashkëpunimit me Ferran Torres, i cili tregoi formën e shkëlqyer nga sezoni 2025/26. Valenciani e tërhoqi topin nga e djathta në të majtë dhe goditi ulët; goditja nuk ishte shumë e fortë, por e mjaftueshme për ta mposhtur portierin Basil, 1:0 në minutën e 16-të.

Portieri i Al Shortas nuk ishte shumë i sigurt, por edhe më pak i vëmendshëm u tregua homologu i tij në anën tjetër, Joan García, vetëm njëmbëdhjetë minuta më vonë. Aksioni i Irakut dukej i padëmshëm; Merchas Doski depërtonte nga krahu i majtë duke kërkuar me sy bashkëlojtarët.

Por papritur ai goditi me të majtën, duke dërguar diçka mes një krosimi dhe një goditjeje drejt portës, që e zuri në befasi portierin e Barcelonës. García tentoi të korrigjonte pozicionimin e gabuar, por nuk arriti ta ndalte topin që përfundoi në rrjetë, 1:1 në minutën e 27-të.

Përfshirja e tij në listën e 26 lojtarëve për Kupën e Botës kishte hapur tashmë debat se kush duhet të jetë portieri i parë i “La Rojas”. Gabime si kjo e mbrëmshme sigurisht që nuk do ta ndihmojnë të fitojë mbështetjen e publikut. Goli i Irakut – skuadër që falë këtij brezi do të luajë Botërorin e dytë në histori pas 40 vitesh – e zbehu ritmin e Spanjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat