Fjala e fundit e Fadil Vokrrit

Futboll

Fjala e fundit e Fadil Vokrrit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 9 qershor 2026 Në ora: 14:27
Fadil Vokrri

Sa të jem gjallë, kurrë nuk do ta harroj 8 qershorin e vitit 2018!

Sot bëhen tetë vite nga takimi im i fundit me legjendën e papërsëritshme të futbollit, Fadil Vokrri, vetëm 24 orë para ndarjes së tij nga jeta.

Ishte 8 qershori i vitit 2018, ora 09:40 e mëngjesit, kur u takova me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu.

Edhe sot nuk e di pse më ftuan me aq këmbëngulësi. Më thanë vetëm shkurt, me buzëqeshje:

“Patëm qejf me të pa”.

Për mua kjo ishte shumë e veçantë. As si fëmijë nuk do ta kisha imagjinuar se një ditë do të ulesha me Fadil Vokrrin, e aq më pak të më ftonte vetë për të më takuar.

Edhe sot më sillet në mendje pyetja: pse më ftoi?

Aty zhvilluam një bisedë të lirë. Vokrri, si gjithmonë, i buzëqeshur, na dëgjonte teksa me Eroll Salihun flisnim për futbollin e viteve të 80-ta e këndej. Salihu ishte krahu i djathtë i Vokrrit.

Në një moment, Fadil Vokrri tha:

“Të dielën po aterojmë për në Rusi, ku jemi në hapje të Kampionatit Botëror”.

Por e shtuna, 9 qershor 2018, solli një paradite trishtuese.

Teksa isha në gjumë, më telefonoi Izet Gjinovci dhe më tha: “Paska vdekur Fadil Vokrri.”

Në fillim nuk e besova. Madje e kritikova ashpër, duke i thënë: 

“Qysh bre po gjen kohë me u zbavit me kësi gjëra e me fol palidhje, veç pse more vesh që dje kam ndejtur me Vokrrin?”

Por ai ma ktheu seriozisht:

“O, ka vdekur përnjëmend. Shiko lajmet.”

Ajo e diel doli krejt ndryshe, një ditë zie për Kosovën.

Fadil Vokrri nuk ateroi kurrë në Rusi për Kampionatin Botëror. Kosovës iu desh t’i jepte lamtumirën e fundit në lagjen Arbëria të Prishtinës.

Do të kalojnë shekuj, por vështirë se do të lindë një futbollist si Fadil Vokrri, një figurë me të cilën u rritëm dhe u kënaqëm duke e parë në fushën e lojës.

Ai ishte njeriu që e anëtarësoi Federatën e Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, ndërsa vetë emri i tij ishte imazh i dinjitetit për futbollin dhe shtetin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat