Rasti i ndeshjes mes Kozhufit dhe Bashkimit nga Kumanova, i cili tronditi opinionin sportiv për shkak të indikacioneve serioze për kurdisje, tashmë është para fillimit të një procedure gjyqësore.
Vetëm pas një vendimi gjyqësor, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) do të mund të veprojë përmes rregulloreve të saj me dënime përkatëse, informoi presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç, në takimin e sotëm me mediat.
“Për të gjitha ndeshjet e dyshimta ne marrim njoftime nga UEFA, asnjëherë nuk veprojmë me iniciativë personale, sepse nuk kemi as burime për hetime të pavarura.
Prandaj, pas çdo ndeshjeje të dyshimtë marrim një njoftim nga UEFA me të dhëna të sakta për cenimin e integritetit. Më pas i informojmë organet kompetente, përkatësisht dërgojmë shkresë në MPB, ndërsa institucionet shtetërore kompetente e marrin përsipër rastin”, theksoi Omeragiç, duke shtuar menjëherë:
“Për rastin Bashkimi, procedura ka mbërritur në gjykatë, me emra dhe mbiemra të personave zyrtarë, trajnerëve dhe lojtarëve. Prokuroria i ndjek sipas nenit 253, paragrafi 4, për pranimin e paautorizuar të dhuratave. As UEFA dhe as FFM nuk janë gjykatë.
Ne mund të veprojmë vetëm pas një vendimi gjyqësor. I kemi pezulluar personat që e kanë pranuar atë që kanë bërë. Megjithatë, që të marrim masa ndaj cilitdo klub, duhet të kemi një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Derisa të marrim një vendim për cilindo klub, nuk do ta përjashtojmë asnjë klub tonin”, tha njeriu i parë i FFM-së.