Koreja e Jugut-Çeki, dueli për befasinë

Futboll

Koreja e Jugut-Çeki, dueli për befasinë

Më: 11 qershor 2026 Në ora: 14:50
Foto ilustrim

Përballja e dytë në Grupin A është ajo mes Koresë së Jugut dhe Republikës Çeke, e cila luhet në mëngjesin e së premtes në orën 04:00. Një 90-minutësh historik për të dy kombëtaret që përplasen për herë të parë në këto nivele, teksa mbërrijnë në Kupën e Botës 2026 për të bërë surprizën e madhe.

Me statusin e një prej skuadrave më të qëndrueshme të kontinentit aziatik, pasi përfundoi fushatën kualifikuese pa asnjë humbje, Koreja e Jugut është gati të bëjë befasinë e madhe në Grupin A të Kupës së Botës. Aziatikët regjistruan 11 fitore dhe 5 barazime në dy raundet kualifikuese, duke u bërë kombi i parë aziatik që siguron pjesëmarrjen në 12 edicione të ndryshme të Kupës së Botës dhe i 11-ti radhazi në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Për trajnerin Hong Myung-bo, i cili ndodhet në mandatin e tij të dytë në krye të ekipit kombëtar, ky kompeticion përfaqëson një mundësi për të lënë pas kujtimet e hidhura të eliminimit në fazën e grupeve në Botërorin 2014. Legjenda koreane ishte pjesë e skuadrës që arriti vendin e katërt historik në vitin 2002, kur Koreja e Jugut ishte bashkë-organizatore e turneut. Në planin individual, kapiteni Son Heung-min ishte protagonisti kryesor i Koresë së Jugut në kualifikuese, duke realizuar dhjetë gola.

Nga ana tjetër, Republika Çeke do të marrë pjesë në Kupën e Botës si shtet i pavarur për herë të dytë në histori, pas debutimit në vitin 2006. Rruga drejt kualifikimit ka qenë e mbushur me sfida dhe polemika. Kapiteni Tomáš Souček humbi shiritin e kapitenit pas një incidenti me tifozët, ndërsa trajneri Ivan Hašek u shkarkua pas humbjes surprizë 2-1 ndaj Ishujve Faroe.

Pasardhësi i tij, Miroslav Koubek, mori drejtimin në një moment delikat dhe arriti të sigurojë kualifikimin përmes fazës play-off. Çekët triumfuan me penallti ndaj Republikës së Irlandës dhe Danimarkës në Pragë, duke prerë biletën për në Botërorin 2026.

Për Republikën Çeke, shpresa kryesore mbetet Patrik Schick. Sulmuesi ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës në kualifikuese me pesë gola dhe ka shënuar gjashtë herë në shtatë paraqitje në turne të mëdha ndërkombëtare. Koreja e Jugut ka shqetësime për gjendjen fizike të Tae-seok Lee dhe Jun-ho Bae, ndërsa Republika Çeke paraqitet me skuadër të plotë dhe pa probleme të rëndësishme dëmtimesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat