Çfarë duhet të dini për Kupën e Botës 2026

Futboll

Çfarë duhet të dini për Kupën e Botës 2026

Më: 11 qershor 2026 Në ora: 17:42
Topi

Numërimi mbrapsht po shkon drejt fundit. Kupa e Botës 2026 nis sonte – dhe me të fillon festa më e madhe e futbollit.

Për 39 ditë, 48 kombëtare do të garojnë për trofeun më të lakmuar në sport, në një Botëror që do të sjellë më shumë ekipe e më shumë ndeshje, dhe që premton më shumë spektakël se kurrë më parë.

Këtu mund të mësoni shumëçka për favoritët, yjet, formatin e ri të garës, oraret, biletat dhe zhvillimet që po e shoqërojnë turneun para fishkëllimës së parë.

Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, shënon herën e parë që tri vende e organizojnë së bashku kampionatin që mbahet çdo katër vjet.

Ky do të jetë Botërori më i madh deri më tani sa i përket numrit të pjesëmarrësve.

Ndeshja hapëse e garës do të zhvillohet mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, në Meksiko Siti, të enjten, pra sonte në orën 21:00, sipas kohës lokale në Kosovë. Finalja do të luhet më 19 korrik, në Nju Xhersi të SHBA-së.

Kush merr pjesë?

Kjo Kupë e Botës është e para që përfshin 48 shtete, për dallim nga Botërorët e mëparshëm, që kishin nga 32 sosh.

Argjentina, Brazili, Franca, Gjermania, Spanja dhe Anglia janë në mesin e kombëtarëve të mëdha, që do të garojnë për trofeun më prestigjioz në futboll.

Këtij Botërori do t’i mungojë fituesja e katërfishtë e Kupës, Italia, që nuk arriti të kualifikohet, ashtu siç nuk arritën as Kosova dhe Shqipëria – megjithëse ishin afër, dështuan në plajof dhe nuk do t’i shohim për herë të parë në një Botëror.

Si zhvillohet gara?

Kombëtaret pjesëmarrëse sivjet janë të ndara në 12 grupe, me nga katër ekipe.

Dy ekipet e para në grup, me më së shumti pikë (fitorja siguron 3, barazimi 1), do të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën e radhës të garës – e cila njihet si rrethi i 32 më të mirëve.

Pjesa e mbetur e rrethit të 32 më të mirëve do të përbëhet nga ekipet që do të zënë vendin e tretë në grup gjatë fazës grupore, dhe që do të kenë rezultate më të mira në përgjithësi. Gjashtëmbëdhjetë ekipe do të eliminohen në grupe.

Nuk do të ketë gjuajtje të penalltive për të përcaktuar ekipin fitues gjatë ndeshjeve në grupe. Por, në fazat e ardhshme, nëse një ndeshje përfundon me barazim, atëherë do të luhen edhe 30 minuta shtesë. Nëse prapë nuk ka fitues, atëherë do të zhvillohen penalltitë.

Në çfarë oraresh luhen ndeshjet?

Tifozët në Kosovë, dhe në Evropë në përgjithësi, duhet të përgatiten për net të gjata, ose për t’u zgjuar shumë herët në mëngjes, të paktën gjatë dy javëve të para të turneut.

Ndeshjet e Kupës së Botës fillojnë qysh pas mesnate për tifozët në Evropë, më saktë nga ora 1 e mëngjesit e tutje.

Ka, gjithashtu, ndeshje që nisin në orën 4 të mëngjesit, sipas kohës lokale në Kosovë, por edhe në orët e përshtatshme si 18 dhe 21.

Plot 35 ndeshje të fazës së grupeve fillojnë mes mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat