Legjenda e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, ka kërkuar që ish-klubi i tij të bëjë një lëvizje sensacionale për të rikthyer mesfushorin e Napolit, Scott McTominay.
Ish-sulmuesi ikonë ka pranuar habinë e tij të plotë për vendimin e “Red Devils” për të lejuar largimin e 29-vjeçarit për vetëm 26 milionë paund (35 milionë dollarë) drejt Serie A dy vite më parë, pas transformimit të tij në një mesfushor me nivel elitar dhe golashënues.
Ky vendim për ta shitur produktin e akademisë duket gjithnjë e më i nxituar, duke pasur parasysh sezonin e tij të jashtëzakonshëm të parë në Itali, ku ai u bë figurë kyçe në fitimin e Scudettos.
McTominay ka ngritur ndjeshëm nivelin e tij që nga largimi nga “Old Trafford”, duke u kthyer në një lider si për klubin ashtu edhe për kombëtaren.
Rooney, i cili ka luajtur përkrah McTominayt të ri për vetëm 94 minuta në dy ndeshje të Premierligës në maj të vitit 2017, thotë se Manchester Unitedit i mungon shumë etika e tij e punës.
Duke folur në “The Wayne Rooney Show”, ai vuri në pikëpyetje strategjinë sportive të klubit kur u lejua largimi i mesfushorit.
“Unë nuk mund ta besoja që Man United e la të largohej kur e bënë, sepse ai punon shumë fort.
Dhe në atë kohë kur e lanë të largohej, ai ishte një nga lojtarët që doje gjithmonë në fushë, sepse ndjeje që disa lojtarë nuk po jepnin maksimumin dhe ai kishte ndikim. Ai po luante në një rol më ofensiv dhe po shënonte gola të rëndësishëm.
Kur Man United e la të largohej, po mendoja: ‘wow, çfarë po ndodh këtu?’ Por tani do të doje ta kishe përsëri te Man United”, tha ai.
Ndërkohë, drejtuesit e “Old Trafford” po vazhdojnë rindërtimin e skuadrës pas afrimit të Ederson nga Atalanta, por emri i McTominay nuk figuron ende në listën zyrtare të objektivave të verës.
Unitedi po shikon alternativa të tjera, me opsione më të reja si Mateus Fernandes i West Ham, Alex Scott i Bournemouth dhe talenti i Crystal Palace, Adam Wharton, që vazhdojnë të lidhen me klubin.