A po futet Ferizaj në kaos të madh? Probleme me aksionarët, klubi para shpartallimit!

Futboll

A po futet Ferizaj në kaos të madh? Probleme me aksionarët, klubi para shpartallimit!

Nga: K.Goca Më: 13 qershor 2026 Në ora: 20:22
Lulzim Abazi

Klubi i futbollit Ferizaj mund të rrëshqasë drejt një kaosi të madh dhe të pafund!

Flitet se situata brenda klubit nuk është aspak e mirë dhe se gjendja është mjaft e rënduar.

Problemet lidhen kryesisht me aksionarët, të cilët, sipas burimeve, nuk po arrijnë marrëveshje, sidomos me njërin prej tyre.

Në këto rrethana, shtrohet pyetja: A rrezikon Ferizaj të futet në një situatë edhe më të rëndë?

Kjo gjendje e komplikuar po i shkakton kokëdhimbje edhe presidentit të klubit, Lulzim Abazi. Pyetja që ngrihet është nëse ai do të mund ta përballojë këtë krizë dhe ta mbajë klubin larg kolapsit.

Ferizaj nuk po kalon ditë të mira. Përveç humbjes së statusit në elitë dhe mbetjes pa pjesëmarrje në garat evropiane, klubi mori edhe një goditje tjetër të rëndë nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke u dënuar me dy vite ndalesë pjesëmarrjeje në Kupë.

Në prag të sezonit të ri në Ligën e Parë të Kosovës, mbetet dilema nëse Ferizaj do të arrijë fare t’i nisë përgatitjet.

Një burim brenda klubit ka deklaruar se, bazuar në situatën aktuale, është e vështirë të pritet nisja normale e përgatitjeve dhe se klubi mund të shkojë nga e keqja drejt një shpartallimi të plotë.

Ferizaj ndodhet në një udhëkryq pa semaforë.

Gjithçka, sipas burimeve, lidhet me raportet mes aksionarëve.

Madje, përmendet edhe çështja e rreth 30 për qind të aksioneve të njërit prej aksionarëve, megjithëse pa u bërë publik emri i tij.

Ditët në vijim mund të jenë vendimtare për fatin e klubit ferizajas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat