Koha për Francën dhe Argjentinën

Futboll

Koha për Francën dhe Argjentinën

Nga: K.G. Më: 16 qershor 2026 Në ora: 13:40
Argjentinë

Franca dhe Argjentina, finalistët e Kampionatit Botëror në Katar, nisin sot paraqitjen në Kupën e Botës që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, me synimin e qartë, ngritjen e trofeut më 19 korrik.

Në kuadër të Grupit I, Franca nga ora 21:00 do të përballet me Senegalin në stadiumin ‘MetLife’ në New York. Pritet një duel spektakolar mes një prej favoritëve kryesorë dhe një skuadre afrikane që ka dëshmuar vazhdimisht cilësi të lartë.

Francezët kanë një skuadër të mbushur me yje si Kylian Mbappe, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise, ndërsa në stol për herë të fundit në një Botëror do të jetë trajneri Didier Deschamps.

“Qëllimi ynë është finalja dhe titulli, por rruga është e gjatë dhe e vështirë.

Kemi potencial të madh dhe shumë lojtarë cilësorë, megjithëse për disa ky do të jetë Botërori i parë”, deklaroi Deschamps.

Për Senegalin, trajneri francez pati vetëm fjalë respekti:

“Senegali është një kundërshtar i nivelit shumë të lartë, një nga ekipet më të mira afrikane dhe botërore.

Megjithatë, neve na duhet fitorja për ta nisur mirë turneun”.

Kujtimet nga viti 2002 mbeten ende të freskëta për francezët, kur Senegali i befasoi në ndeshjen hapëse të Botërorit në Japoni dhe Korenë e Jugut, duke triumfuar 1:0.

Selektori i Senegalit, Pape Thiaw, beson se skuadra e tij mund të rivalizojë:

“E dimë se përballemi me një ekip shumë të fortë, por jemi gati. Ata kanë lojtarë të klasit botëror, por edhe ne kemi një ekip të mirë dhe futemi në çdo ndeshje për të fituar”.

Në ndeshjen tjetër të Grupit I, nga mesnata, Norvegjinë përballet me Irakun në Boston, me norvegjezët që rikthehen në Botëror pas 28 vitesh dhe hyjnë si favoritë falë liderit të tyre, Erling Haaland.

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, kampionia në fuqi Argjentina nis mbrojtjen e titullit në Grupin J ndaj Algjerisë në Kansas City.

Për Lionel Messi, ky është Botërori i fundit në karrierë. Ylli argjentinas, që udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Katar, do të regjistrojë ndaj Algjerisë ndeshjen e 200-të me kombëtaren.

“Jemi gati për nisjen e kampionatit. Kjo skuadër e di çfarë do të thotë të luash në Kupën e Botës dhe çfarë pritet nga kampioni në fuqi. E respektojmë Algjerinë, por fokusi ynë është te loja jonë”, deklaroi trajneri Lionel Scaloni.

Ditën e gjashtë të Botërorit do ta mbyllë përballja mes Austria dhe Jordanit, ku favorit konsiderohet skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick.

Orari i ndeshjeve (dita e gjashtë)
Grupi I

21:00 Francë - Senegal 
00:00 Irak - Norvegji (Boston)
Grupi J
03:00 Argjentinë -Algjeri
06:00  Austri - Jordani

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat