Një ngjarje e jashtëzakonshme ka tronditur futbollin nigerian.
Mbrojtësi Chinedu Ozor u shpall i vdekur pasi u rrëzua gjatë një ndeshjeje miqësore parasezonale, por disa orë më vonë u zbulua se kishte ende shenja jete në morg.
Ozor, i njohur gjithashtu si Ozoh Chinedu dhe pjesë e skuadrës së Katsina United në elitën e futbollit nigerian, u rrëzua në fillim të miqësores ndaj Niger Tornadoes, në stadiumin “Muhammadu Dikko” të Katsinës.
Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë në fushë dhe lojtari u transportua me urgjencë në spitalin e specializuar K-Dara. Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, klubi njoftoi më pas zyrtarisht se futbollisti kishte ndërruar jetë.
Lajmi shkaktoi tronditje të madhe te klubi, bashkëlojtarët, drejtuesit dhe gjithë komuniteti i futbollit në Nigeri.
Por disa orë më vonë ndodhi kthesa e pabesueshme. Sipas raportimeve, personeli i morgut vuri re se duart e Ozorit po lëviznin. Menjëherë ai u nxor nga morgu dhe u dërgua sërish në spital, ku u vendos nën oksigjen dhe mjekët nisën punën për stabilizimin e gjendjes së tij.
Heartland FC, një nga ish-klubet e mbrojtësit, konfirmoi përmes burimeve të veta se Ozor ishte nxjerrë nga morgu dhe ndodhej tashmë në një shtrat spitalor, ku po merrte trajtim mjekësor.