Transferimi i Folarin Balogun nga Monaco tek Evertoni ka marrë një kthesë të papritur dhe marrëveshja rrezikon të dështojë.
Sulmuesi amerikan nuk ka kaluar me sukses testet mjekësore te klubi anglez, duke bërë që negociatat të pezullohen për momentin.
Balogun ishte shumë pranë transferimit te Evertoni për një shumë që mund të arrinte rreth 50 milionë euro, përfshirë bonuset, por kontrollet mjekësore kanë ngritur dyshime te stafi i klubit anglez për gjendjen e tij fizike.
Sipas raportimeve të RMC Sport, mjekët e Evertonit kanë vlerësuar se 25-vjeçari nuk është ende në gjendjen optimale fizike. Megjithatë, vetë lojtari dhe përfaqësuesit e tij janë të bindur se Balogun është plotësisht i aftë për të luajtur.
Edhe Monaco ka mbetur e befasuar nga situata. Klubi francez beson se gjendja fizike e sulmuesit lidhet me faktin se ai e ka nisur me vonesë përgatitjen sezonale, pasi u kthye më vonë nga Botërori dhe pati edhe një dëmtim të lehtë gjatë angazhimit me kombëtaren.
Trajneri Filipe Luis kishte shpjeguar më herët situatën: “Folarin sapo ka nisur përgatitjet. Ai u kthye vonë nga Botërori dhe duhej të rikuperohej nga një problem i vogël fizik që pati me kombëtaren.
Nuk mund të stërvitej më shumë”.
Dështimi i mundshëm i transferimit do të ishte një goditje e fortë për Monacon, sidomos për shkak të afërsisë së mbylljes së merkatos. Klubi francez llogariste te shitja e Balogun për të respektuar parametrat financiarë dhe kishte refuzuar më herët oferta për Lamine Camara.
Ndërkohë, edhe transferimi i Erik Lira është rrëzuar për shkak të problemeve me kohën, ndërsa Evertoni tashmë pritet të tentojë një tjetër sulmues: Joshua Zirkzee.