Atletico nuk dorëzohet

Futboll

Atletico nuk dorëzohet

Më: 2 shtator 2026 Në ora: 20:28
Alvarez

Merkatoja verore është mbyllur pikërisht ashtu siç dëshironte Atlético Madridi: Julián Álvarez ka mbetur në “Metropolitano”.

Drejtuesit e klubit madrilen nuk ndryshuan qëndrim në asnjë moment. Që kur e ardhmja e sulmuesit argjentinas u shndërrua në një nga temat kryesore të merkatos, veçanërisht pasi Alvarez pranoi gjatë Kupës së Botës se dëshironte të largohej, Atlético refuzoi çdo mundësi për ta lënë të lirë.

Sipas “Mundo Deportivo”, në zyrat e klubit kjo çështje konsiderohej e mbyllur prej disa ditësh.

Álvarez ndërkohë është rikthyer në stërvitje pasi kishte munguar për disa ditë për shkak të një “sëmundjeje”, për të cilën nuk janë dhënë më shumë detaje.

Transferimi i Gabriel Jesus nuk e mbyll çështjen

As transferimi i Gabriel Jesus nga Barcelona nuk i ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e Álvarezit.

Përkundrazi, te Atlético janë të vetëdijshëm se lidhja e argjentinasit me klubin katalanas mund të vazhdojë gjatë gjithë sezonit.

Në Madrid presin që sa herë të afrohen ndeshjet e rëndësishme në Ligën e Kampionëve, Kupë apo një përballje direkte për trofe si Superkupa, zërat për një transferim të Álvarezit te Barcelona të rikthehen përsëri.

Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe sezonin e kaluar.

Atlético është i vetëdijshëm se përsëritja e vazhdueshme e këtyre spekulimeve mund ta komplikojë situatën, por qëndrimi i klubit mbetet i njëjtë me atë të mbajtur gjatë gjithë verës.

Nëse Barcelona e dëshiron Julián Álvarezin, atëherë duhet të paguajë klauzolën e tij të lirimit: 490 milionë euro.

Gil Marín kategorik: Me mua drejtues, Álvarez nuk shkon te Barcelona

Shefi ekzekutiv i Atlético Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, e ka bërë publikisht të qartë qëndrimin e klubit.

I pyetur nëse Barcelona mund të ketë një mundësi më të mirë për transferimin e argjentinasit në janar, verën e ardhshme apo në vitet në vazhdim, përgjigjja e tij ishte kategorike.

“Kam më shumë se 30 vjet në botën e futbollit. Fjala ime është një nga gjërat e pakta që kam. Për sa kohë që unë jam shef ekzekutiv, Álvarez nuk do të transferohet te Barcelona. Kjo është e sigurt”, deklaroi Gil Marín gjatë shortit të Ligës së Kampionëve.

I njëjti mesazh po përsëritet edhe brenda klubit.

Për Atléticon, kjo nuk është vetëm një çështje që lidhet me Álvarezin, por edhe një qëndrim strategjik: klubi nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se është i gatshëm të dorëzojë yjet e tij sa herë që një rival i madh ushtron presion.

Atlético ka precedentë: Lemar, Saúl dhe Vitolo

Nëse Álvarez vendos të insistojë për largimin ose Barcelona vazhdon të presë që Atlético të ndryshojë qëndrim, madrilenët kanë precedentë të mjaftueshëm për të treguar se mund të qëndrojnë të palëkundur.

Rasti më i qartë është Thomas Lemar.

Francezi ishte dikur transferimi më i shtrenjtë në historinë e Atlético Madridit dhe njëkohësisht një nga lojtarët më të paguar të skuadrës.

Megjithatë, kur humbi rëndësinë në ekip, ai kaloi periudha të gjata në stol, pa e detyruar klubin të pranonte një zgjidhje që nuk i përshtatej.

Situata të ngjashme kanë ndodhur edhe me Saúl Ñíguez dhe Vitolon, dy futbollistë që kishin kushtuar shumë dhe kishin paga të konsiderueshme, por që humbën statusin e tyre brenda skuadrës.

Mesazhi i Atlético Madridit për Julián Álvarezin dhe Barcelonën është, për këtë arsye, i qartë: klubi nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Nëse argjentinasi kërkon largimin dhe Barcelona nuk është e gatshme të plotësojë kushtet e vendosura nga Atlético, madrilenët janë të përgatitur ta përballojnë situatën edhe për një periudhë të gjatë./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat