Vllaznia po përballet me një kalendar që mund të rezultojë vendimtar për sezonin dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen e trajnerit Edi Martini.
Pas një starti zhgënjyes, ku kuqeblutë kanë grumbulluar vetëm dy pikë dhe ndodhen në fund të renditjes, sfidat e radhës janë nga më të vështirat.
Seria e “ferrit” nis më 18 shtator, kur Vllaznia pret në Shkodër Teutën, skuadrën që aktualisht kryeson kampionatin. Vetëm pak javë më pas, më 11 tetor, kuqeblutë do të përballen me Dinamo City, aktualisht në vendin e tretë. Por vështirësitë nuk mbarojnë këtu. Më 17 tetor, Vllaznia do të udhëtojë në transfertë për t’u ndeshur me Egnatian, e cila renditet e dyta.
Vetëm një javë më vonë, më 24 tetor, vjen një tjetër përballje e madhe, këtë herë në Shkodër ndaj Tiranës. Pra, brenda pak javësh, Martini do të ketë përballë liderin e kampionatit, vendin e dytë, vendin e tretë dhe një tjetër skuadër të historisë së madhe të futbollit shqiptar.
Koha për kthesë- Ky kalendar vjen në një moment aspak të favorshëm për Vllazninë. Kuqeblutë janë në vendin e fundit dhe rezultatet e fundit kanë shtuar ndjeshëm presionin mbi trajnerin dhe skuadrën.
Megjithatë, pikërisht këto sfida mund të jenë edhe mundësia për të ndryshuar situatën. Një rezultat pozitiv ndaj ekipeve të kreut do të sillte besim dhe do të qetësonte ambientin shkodran. Katër ndeshje, katër kundërshtarë të fortë dhe shumë presion mbi Martini. “Ferri” i Vllaznisë sapo ka filluar!