Egnatia dhe Partizani do të përballen të dielën e 20 shtatorit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 5-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në Rrogozhinë, do të nisë në orën 18:30.
Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri i kampionëve, Nevil Dede.
“Elbasani? Në futboll pranohen të tre rezultatet, pra janë prezent. I rëndësishëm është ndërtimi që ne patëm dhe rastet që krijuam. Normal që ne nuk jemi të pamundur në gjithë sezonin. Do kemi dhe ne një ditë jo të mirë. Këtë e shfaqëm disa minuta në pjesën e parë me Elbasanin.
Në pjesën e dytë ishte çdo gjë në kontroll. Ajo që mungoi dhe që mendoj solli humbjen tonë të parë, është vetëm mungesa e finalizimit. çdo lojtar i yni kishte një top goli në këmbën e tij.
Çunat kanë punuar fort. Është një ndeshje që do na kthejë fokusin maksimal, të mos mendojmë më që mund të fitojmë çdo ndeshje pa u impenjuar maksimalisht.
Më gëzon fakti që ndërtuam pa fund. Nuk finalizuam, por gjithsesi nëse ne ndërtojmë kaq shumë dhe në këtë formë, jam i bindur që finalizimi do vijë.
Një ndeshje apo një ditë “jo” e jona e përbashkët, ku përgjegjësi kryesor i humbjes është trajneri dhe pastaj vijnë lojtarët. Kaq mund të them. Mendoj se çdo gjë ndodh për një arsye. Arsyeja përse na ndodhi neve është që të fokusohemi, të jemi më të përgjegjshëm për çdo top goli që do kemi në këmbë.
Partizani është një emër i madh i futbollit shqiptar. Motivon jo vetëm tifozët, që jam i bindur do jenë të shumtë të na mbështesin në shtëpinë tonë, por edhe djemtë tanë. E kemi vlerësuar maksimalisht. Është një skuadër shumë serioze, ka lojtarë shumë cilësorë brenda, por në fund ne duhet të bëjmë lojën tonë. Në fund ne duhet të bëjmë lojën tonë, të bëhemi më të mirë se vetja në ndeshjen e kaluar. Dhe çdo gjë të shkojë aty ku ka vendin dhe lojtarët të marrin atë që japin në fushën e lojës.
Vendi i parë? Egnatia e kam thënë që në fillim të sezonit që ne jemi për kampion. Nuk fshihemi pas gishtit dhe kjo është e vërteta. Mua më intereson që kur të mbyllet sezoni Abissnet Superiore 2026/27, ne të shpallemi kampion. Se kur jemi në vend të parë apo dytë, rëndësi ka përfundimi. Kjo është një maratonë e gjatë, ku ne e kemi garën më të fortë, më të rëndësishme, por edhe për imazhin e gjithë futbollit shqiptar…”, tha Nevil Dede.