Dinamo ka mposhtur Laçin, në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë të “Abissnet Superiore”.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi 3:1 në favor të kryeqytetasve.
Ishte fillimisht Lorran që hapi llogaritë e takimit në minutën e 22-të, përpara se vetëm dy minuta më vonë, Gamarra të barazonte rezultatin.
Pak momente para përfundimit të pjesës së parë, po i njëjti autor që shënoi dhe të baraspeshës, lë Laçin me një lojtar më pak.
Në pjesën e dytë, dinamovitët shfrytëzojnë epërsinë numerike, duke goditur dy herë kundërshtarin. Fillimisht, Vila shënon të dytin për kryeqytetasit në minutën e 55-të, teksa Farruku pati një tjetër shans për të tretin e takimit. Megjithatë, Ruçi “vulos” tri pikët për ekipin e Ilir Dajës në minutën e 90’+3.
Me këtë rezultat, Dinamo shkon në kuotën e 12 pikë, një më pak se Teuta kryesuese. Në anën tjetër, Laçi mbetet në vendin e 4-të me 7 pikë.