Pauza e kampionateve për shkak të ndeshjeve të kombëtareve do t’u japë futbollistëve të Egnatias disa ditë pushim pas një periudhe intensive.
Skuadra rrogozhinase e nisi sezonin herët për shkak të angazhimeve në Europë dhe në klub pritej që më shumë lojtarë të merrnin ftesa nga përfaqësueset respektive.
Një nga ata që shpresonte të ishte në listë ishte Zamig Aliyev, i cili kishte besim se paraqitjet e fundit me kampionët e Shqipërisë do t’i hapnin sërish dyert e kombëtares së Azerbajxhanit.
Megjithatë, mbrojtësi nuk arriti të siguronte një vend në grumbullimin e radhës.
Trajneri Ajkan Abasov ka përzgjedhur 30 futbollistë për sfidat e Ligës së Kombeve, por emri i Aliyev nuk figuron mes të ftuarve. Ndërkohë, në listë është përfshirë Vusal Isgandarli, ish-lojtari i Egnatias dhe Partizanit, i cili duket se ka bindur stafin teknik me paraqitjet e tij te Malisheva.