Jo thjesht një trofe

Futboll

Jo thjesht një trofe

Më: 23 shtator 2026 Në ora: 15:26
Shqipëria

Liga e Kombeve nuk duhet parë thjesht si një kompeticion për të fituar një trofe.

Rezultatet në këtë turne kanë rëndësi edhe për rrugëtimin drejt Euro 2028, ndërsa federatat kombëtare përfitojnë edhe financiarisht.

Renditja e përgjithshme e Nations League do të përdoret për përcaktimin e vazove të shortit të kualifikueseve të Euro 2028, me ndeshjet eliminatore që do të zhvillohen gjatë vitit 2027.

Në këtë edicion, Shqipëria garon në Divizionin C, ku do të përballet me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon.

Për kuqezinjtë, objektivi nuk lidhet vetëm me ngjitjen në një nivel më të lartë të Nations League, por edhe me ndikimin që rezultatet mund të kenë në pozicionimin e Shqipërisë për ciklin e ardhshëm europian.

Një avantazh të rëndësishëm në shortin e Euro 2028 do ta kenë katër fituesit e grupeve të Ligës A.

Ata do të vendosen në grupe me nga katër skuadra, duke pasur më pak ndeshje për të luajtur dhe më pak mundësi për të humbur pikë.

Në total, për Euro 2028 do të krijohen 12 grupe me nga katër ose pesë skuadra. Katër vendet pritëse janë Anglia, Skocia, Irlanda dhe Uellsi.

12 fituesit e grupeve dhe tetë ekipet më të mira të vendeve të dyta do të kualifikohen direkt, duke plotësuar 20 nga 24 vendet e turneut.

Pjesa tjetër e vendeve do të përcaktohet përmes play-off-it, ku Nations League mund të luajë një rol vendimtar.

Ekipet me renditjen më të mirë në Ligën e Kombeve që nuk arrijnë të kualifikohen direkt mund të përfitojnë një mundësi shtesë për të siguruar pjesëmarrjen në Europian.

Kjo do të thotë se për Shqipërinë, një fushatë e mirë në Nations League mund të jetë e rëndësishme edhe në rast se rrugëtimi në kualifikueset e Euro 2028 nuk shkon sipas parashikimeve.

Renditja e marrë në këtë kompeticion mund të shërbejë si një rrugë rezervë drejt Europianit.

Por Nations League ka edhe një dimension financiar.

Federatat marrin një tarifë pjesëmarrjeje, ndërsa rezultatet dhe fitimi i grupeve shoqërohen me bonuse shtesë.

Për skuadrat e Ligës A, të ardhurat mund të arrijnë në miliona euro, ndërsa pagesat rriten për ekipet që shkojnë deri në fazën finale dhe fitojnë trofeun.

Për një kombëtare të Ligës A, pjesëmarrja dhe fitimi i grupit mund të sjellin gjithsej 4.5 milionë euro përpara fazës finale.

Katër skuadrat që arrijnë në fazën finale përfitojnë më pas bonuse shtesë, në varësi të pozicionit që zënë.

Në rast se një skuadër fiton grupin dhe më pas ngre trofeun e Nations League, pagesat fikse mund të arrijnë deri në 10.5 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat