Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, po kalon një formë të jashtëzakonshme këtë edicion duke udhëhequr renditjen e shënuesve në La Liga me 12 gola në 7 ndeshje. Megjithatë, kur vjen puna te çmimi më prestigjioz individual, “Topi i Artë”, braziliani nuk ka asnjë dyshim: trofeu i takon bashkëlojtarit të tij, Lamine Yamal.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane La Gazzetta Dello Sport, Raphinha e cilësoi adoleshentin spanjoll si kandidatin absolut për ta fituar këtë çmim.
Lamine Yamal për mua është kandidati kryesor për të fituar Topin e Artë. Lamine krijon magji në fushë, ka karizëm dhe personalitet, përveç golave, asisteve dhe titujve.
Është një futbollist spektakolar dhe po e tregon te Barcelona dhe kombëtarja spanjolle, dy skuadra ku ai është ndër lojtarët më të rëndësishëm. Për mua nuk ka asnjë dyshim: Lamine ka titujt – La Ligën me Barcelonën, Botërorin me Spanjën – dhe ka cilësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Raphinha..
Në rrafshin personal e kolektiv me klubin katalanas, objektivi kryesor i brazilianit për këtë sezon mbetet triumfi në Ligën e Kampionëve, një trofe që i mungon prej vitesh “Blaugranave”.
Gjysmëfinalen me Interin para dy vitesh ende nuk e kapërdij dot. Ishim aty, vetëm një hap larg, çfarë dhimbjeje! Ishte e vështirë, por nëse kthejmë kokën pas, kishim një skuadër shumë të re. Sot jemi më të pjekur mentalisht dhe më të përgatitur për të përballuar momentet e vështira që rezervon Champions League. Jemi gati të luftojmë për çdo objektiv”, theksoi ai.
Edhe pse në Botërorin e vitit 2026 gjërat nuk shkuan sipas pritshmërive për përfaqësuesen e Brazilit, Raphinha shikon me shumë shpresë nga e ardhmja, duke shprehur besim të plotë te përzgjedhësi Carlo Ancelotti.
Më befasoi shumë. E kisha takuar si rival këtu në Spanjë dhe më kishte lënë përshtypje shumë të mirë, më dukej person i respektuar. Por kur nisa të punoj me të në kombëtare dhe u njohëm seriozisht, zbulova se është një njeri i jashtëzakonshëm, një surprizë e mrekullueshme. Për këtë arsye shoh me besim të plotë drejt Botërorit 2030”, përfundoi ylli i Barcelonës.