Csaba Laszlo është opsion për stolin e Vllaznisë.
Trajneri 62-vjeçar mund të pasojë Edi Martinin, teksa aktualisht është Ergi Borshi nën drejtimin e ekipit.
Prapaskenat te kuqeblutë janë zbuluar nga “Superliga Shqiptare Fan Club”. Laszlo është me origjinë nga Hungaria, por i lindur në Rumani. Po ashtu ka edhe nënshtetësinë gjermane.
Në karrierën e tij ka drejtuar përfaqësuesen e Ugandës dhe Lituanisë, teksa te Hungaria ishte ndihmës trajner. Si trajner klubesh ishte për herë të fundit te Sepsi OSK në Rumani. Eksperienca e vitit të kaluar zgjati vetëm tri ndeshje.
Laszlo ka provuar pozicione të ndryshme gjatë karrierës. Te MTK Budapest pasi u vendos skaut, drejtoi edhe skuadrën si trajner. Në anën tjetër me Csikszeredan në Rumani provoi të jetë drejtor teknik. Eksperienca të tjera janë si trajner i Ferencvarosh, Çarleroi, Dunde etj.
Në vitin 2005 ishte “Trajneri i Vitit” në Hungari duke qenë se udhëhoqi Ferencvaroshin në Europë. Në vitin 2009 në Skoci fitoi të njëjtin çmim nga shoqata e gazetarëve, pasi kishte bërë mjaft mirë me Heart.