Hojlund: E bëra në nder të tij

Futboll

Hojlund: E bëra në nder të tij

Më: 2 tetor 2026 Në ora: 16:59
Hojlund

Rasmus Hojlund ka mohuar sugjerimet se ka “mosrespektuar” kombëtaren e Portugalisë duke bërë festimin e Cristiano Ronaldos gjatë humbjes 4-2 të Danimarkës ndaj Portugalisë të enjten mbrëma.

Hojlund shënoi në minutën e 53-të të ndeshjes së Ligës së Kombeve në Kopenhagë për ta barazuar rezultatin në 2-2, përpara se të festonte me ikoniken “Siu” të Ronaldos.

Ronaldo u largua nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë të mërkurën, pas konferencës për media të trajnerit Jorge Jesus.

Ai kishte mbetur në bankën rezervë pa u aktivizuar gjatë fitores 2-1 ndaj Norvegjisë në fillim të javës.

Duke folur për gazetarët pas humbjes së Danimarkës, Hojlund tha: “E bëra atë festim si një nderim për Cristiano Ronaldon, pas gjithçkaje që i ndodhi. Thjesht doja ta nderoja. Ai është idhulli im. Nuk kishte asnjë mosrespekt për ekipin e Portugalisë”.

Pak pas vërshëllimës së fundit, Hojlund e preku Jorge Jesusin në gjoks, duke bërë që trajneri i Portugalisë të qeshte, ndonëse nuk ishte e qartë nëse sulmuesi danez e përjetoi në të njëjtën mënyrë.

Hojlund nuk pati mundësi të luante me Ronaldon te Manchester Unitedi, pasi portugezi u largua nga klubi shtatë muaj para transferimit të danezit në “Old Trafford”.

Megjithatë, menjëherë pas transferimit të tij në verën e vitit 2023, ai kishte treguar se e kishte idhull Ronaldon që nga fëmijëria.

“Babai im ma prezantoi atë kur nuk isha shumë i vogël. Ai ma prezantoi Cristiano Ronaldon dhe donte që ta kisha idhull, sepse ai ka një mentalitet të mirë… për mua, Ronaldo është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, kishte thënë Hojlund për “Sky Sports”.

Sipas Edu Aguirres nga “El Chiringuito”, Jesus i kishte premtuar Ronaldos se do ta pranonte gabimin për mosaktivizimin e tij ndaj Norvegjisë, por nuk e kishte bërë një gjë të tillë në konferencën pasuese për media. Kjo, sipas raportimeve, kishte ndikuar në vendimin e Ronaldos për t’u larguar nga kombëtarja.

“Çdo lojtar, kur kalon 20 apo 30 minuta duke u nxehur dhe më pas nuk futet në lojë, askush nuk është i lumtur për këtë. Si trajner, vendosa të mos e aktivizoja”, kishte thënë Jesus.

Pas largimit nga grumbullimi i Portugalisë, Ronaldo publikoi një deklaratë në llogarinë e tij në “Instagram”.

“Pas konferencës për media të trajnerit të kombëtares dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, vendosa të largohem nga grumbullimi i kombëtares. Në kohën e duhur, do t’ua tregoj portugezëve të vërtetën për arsyet e largimit tim nga kombëtarja, së cilës gjithmonë i jam përkushtuar. Tani është koha t’i uroj fat Portugalisë dhe të gjithë bashkëlojtarëve të mi, pa përjashtim”, tha ai tutje.

Disa nga bashkëlojtarët e Ronaldos te Portugalia kanë folur gjithashtu për situatën.

Mbrojtësi i krahut i Paris Saint-Germain, Nuno Mendes, tha se do ta “mirëpriste” Ronaldon, apo cilindo lojtar të Portugalisë, sërish në kombëtare.

Ndërkohë, mbrojtësi i Villarrealit, Renato Veiga, tha se ishte “udhëzuar” të mos fliste për 41-vjeçarin, por theksoi se ka “shumë respekt” për të.

Pak para fitores së Portugalisë ndaj Danimarkës, Jesus kishte folur për situatën, duke thënë:

“Do të shpjegoj gjithçka pas ndeshjes së fundit. E di se nuk bëra asgjë që do të duhej të bënte gjërat të shkonin ndryshe… Nuk do të fshihem dhe nuk do të iki prej kësaj. Askush nuk mund ta heqë atë që përfaqëson Cristiano. Ai është ikonë dhe kjo nuk vihet në diskutim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat