Hoeness kritikon

Futboll

Hoeness kritikon

Më: 11 tetor 2026 Në ora: 16:42
Uli Hoeness

Uli Hoeness ka kritikuar ashpër Ligën e Kombeve dhe kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve ndërkombëtare.

Presidenti i nderit i Bayern Munihut konsideron se klubi bavarez është ndër më të prekurit nga pasojat e Kampionatit Botëror dhe pushimet e gjata për ndeshjet e kombëtareve.

Fillimi i sezonit nuk ka shkuar sipas pritshmërive për Bayernin, ndërsa Hoeness fajëson ngarkesën e tepërt të futbollistëve dhe kalendarin e papërshtatshëm të garave ndërkombëtare.

Në një intervistë për “Bild TV”, Hoeness ishte i drejtpërdrejtë në kritikat ndaj organizatorëve të futbollit ndërkombëtar.
“Ne jemi viktimat më të mëdha të këtij Kampionati Botëror kaq të gjatë. Lojtarët tanë u kthyen shumë vonë dhe menjëherë iu desh të shkonin në pushime”, deklaroi ai.

Yjet e Bayernit, si Harry Kane dhe Michael Olise, luajtën deri në fund të turneut.

Pasi sezoni i klubeve nisi më 28 gusht, shumë shpejt pasoi një tjetër ndërprerje për shkak të angazhimeve të kombëtareve.

Hoenessit i pengon veçanërisht Liga e Kombeve, e organizuar nga UEFA.

“Vendimin e UEFA-s për të vendosur një ndërprerje dyjavore vetëm katër javë pas fillimit të Bundesligës e konsideroj një katastrofë të vërtetë. Plot 18 futbollistë tanë ishin me kombëtaret dhe është normale që në këto kushte të humbasësh ritmin”, u shpreh 74-vjeçari.

Bayern Munich aktualisht ndodhet dy pikë prapa skuadrës që kryeson Bundesligën.

Sipas Hoenessit, klubet duhet të mbrojnë më shumë interesat e tyre, pasi janë ato që paguajnë futbollistët dhe jo kombëtaret.

“Klubet më në fund duhet të luftojnë për interesat e tyre. Dhe futja e një gare kaq qesharake si Liga e Kombeve është shakaja e vitit”, deklaroi Hoeness.

Presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, doli në mbështetje të bashkëpunëtorit të tij shumëvjeçar.

“Uli Hoeness ka plotësisht të drejtë. Besoj se asnjë skuadër tjetër në Bundesligë, por as në arenën ndërkombëtare, nuk është e ngarkuar aq shumë sa ne. Pothuajse të gjithë lojtarët tanë janë përfaqësues të kombëtareve dhe e kanë kaluar gjithë verën me ekipet e tyre përfaqësuese”, tha Hainer.

Ai shtoi se ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe udhëtimet e vazhdueshme i lodhin futbollistët profesionistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat