Ivan Gvozdenoviq nuk do të jetë më trajneri i Elbasanit.
Është vetë klubi që ka pranuar dorëheqjen e Gvozdenovic, duke bërë që marrëdhënia mes tyre të ndërpritet këtu.
Humbja e fundit me Skënderbeun, duket se ka rezultuar vendimtare që trajneri serb të marrë përsipër përgjegjësitë dhe t’ia komunikojë klubit dëshirën për të mbyllur këtë cikël.
Kujtojmë se Gvozdenovic iu rinovua kontrata me verdheblutë deri në qershor të vitit 2027-të, por duket se gjithçka ka ndryshuar dhe tek Elbasani pritet të vijë një “frymë” e re për të vazhduar me ndeshjet e ardhshme të kampionatit.
NJOFTIMI I PLOTË:
AF Elbasani njofton se trajneri Ivan Gvozdenoviq ka paraqitur dorëheqjen e tij, vendim të cilin klubi e ka pranuar me respekt dhe mirëkuptim.
Së bashku kemi përjetuar momente të paharrueshme, kemi festuar suksese dhe kemi shkruar faqe të rëndësishme në historinë e klubit tonë.
E falënderojmë Ivanin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar gjatë këtij rrugëtimi.
Rrugët tona ndahen, por historia që shkruam së bashku do të mbetet përgjithmonë!
Faleminderit për gjithçka, Ivan! Të urojmë suksese në të ardhmen!