Chivu, për kritikat

Futboll

Chivu, për kritikat

Më: 20 tetor 2026 Në ora: 15:56
Cristian Chivu

Cristian Chivu ka dalë në mbrojtje të Interit në prag të përballjes me Shakhtar Donetsk në Champions League, duke pranuar përgjegjësinë për rezultatet negative në Europë, por edhe duke kundërshtuar presionin e madh që, sipas tij, rëndon mbi skuadrën zikaltër.

Interi synon fitoren për të marrë tri pikët e para dhe për të mbajtur gjallë objektivin e kualifikimit në fazën play-off. Zikaltrit vijnë pas dy humbjeve në këtë edicion europian, ndërsa bilanci i tyre është edhe më shqetësues në një periudhë më të gjatë: katër humbje radhazi dhe shtatë disfata në tetë ndeshjet e fundit në Europë.

“Dua që lojtarët e mi të kënaqen edhe përballë vështirësive. Duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjeve dhe të marrin përgjegjësi, pa humbur nga sytë lojën. Në këtë mënyrë është më e lehtë të fitosh”, deklaroi Chivu.

Trajneri rumun e cilësoi sfidën të vështirë, duke paralajmëruar se kundërshtari do të luajë pa presionin e rezultatit dhe me ambicie të mëdha. Për të, objektivi i vetëm në këtë moment është fitorja, jo diskutimet për mundësinë e triumfit në Champions League.

Chivu pranoi gjithashtu se duhet të përmirësojë punën e tij dhe mënyrën se si komunikon me skuadrën.

“Kur gjërat nuk shkojnë mirë, nuk ua drejtoj kurrë gishtin lojtarëve. Trajneri është i pari që mban përgjegjësi. Duhet të përmirësohem fillimisht unë”, theksoi ai.

Megjithatë, tekniku zikaltër kërkoi që humbjet të mos shndërrohen në një dramë kombëtare, duke kujtuar se edhe skuadrat e tjera kanë problemet e tyre.

“Nuk jemi perfektë dhe nuk duam të paraqitemi si të tillë, por as nuk duhet të bëhet dramë kombëtare kur Interi humbet. Kemi probleme si të gjithë të tjerët. Ekziston ndjesia sikur Interi e ka detyrim të fitojë, ndërsa të tjerët jo. Kjo nuk është e drejtë”, përfundoi Chivu.

Për Interin, përballja me Shakhtarin përfaqëson një provë të rëndësishme për të reaguar në Europë dhe për të rikthyer besimin pas rezultateve zhgënjyese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat