Bergomi zbulon problemin e Interit

Futboll

Bergomi zbulon problemin e Interit

Më: 20 tetor 2026 Në ora: 19:02
Bepe Bergomi

Përmbysjet e Interit nuk janë vetëm çështje karakteri.

Sipas Bepe Bergomit, i cili foli në emisionin “Sky Calcio Club”, pas aftësisë së zikaltërve për të rikuperuar rezultatin qëndron një sistem loje i konsoliduar, që i lejon skuadrës të krijojë raste shënimi me lehtësi të madhe. Ish-mbrojtësi i Interit vuri në dukje disa ndryshime mes karakteristikave të skuadrës dhe filozofisë së trajnerit Kristian Kivu.

“Në Itali, prej gjashtë vitesh, Interi shënon më shumë gola se të gjithë. Luajnë me dy sulmues qendre, diçka që e bëjnë shumë pak skuadra. Lehtësia me të cilën krijojnë raste për gol është diçka që duhet parë”, deklaroi Bergomi. Sipas tij, aftësia e Interit për të ndërtuar aksione dhe për të krijuar mundësi shënimi është një nga pikat më të spikatura të skuadrës.

Presingu i lartë, një pikëpyetje

Dyshimet e Bergomit lidhen veçanërisht me presingun e lartë që kërkon Kivu nga lojtarët e tij.

“Gjithmonë mendoj se Interi nuk është një skuadër e përshtatshme për kundërsulmin e menjëhershëm ndaj kundërshtarit pas humbjes së topit dhe për presingun e lartë”, u shpreh ai. Në vlerësimin e ish-mbrojtësit, zikaltërit japin më shumë kur arrijnë të kontrollojnë lojën dhe të diktojnë ritmin e saj.

Megjithatë, ai pranon se skuadra është e rrezikshme edhe kur rikuperon topin dhe nis shpejt aksionet sulmuese.

Në fund, Bergomi u ndal te reparti defensiv dhe te largimi i dy lojtarëve me rëndësi për skuadrën. “Interi ka humbur dy mbrojtës thelbësorë, të cilët nuk janë zëvendësuar, Açerbin dhe De Frajin”, theksoi ai.

Sipas Bergomit, mbrojtja në hapësira të mëdha, kur skuadra luan me vijën e prapavijës larg portës së vet, kërkon karakteristika të veçanta nga lojtarët. Për këtë arsye, mungesa e Açerbit dhe De Frajit ndikon në ekuilibrat e skuadrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat