Gjatë verës, Vinicius Junior ishte një nga emrat më të përfolur, ndërsa u përfol edhe për një ofertë nga Arsenali.
Tashmë, e gjithë situata është konfirmuar nga presidenti i agjencisë “Roc Nation”, Michael Yormark, i cili përfaqëson interesat e 26-vjeçarit.
Sipas deklaratës së agjentit të dhënë për median “Sportsboom”, sulmuesi brazilian mori një ofertë konkrete nga londinezët dhe e shqyrtoi atë me shumë seriozitet. Yormark pranoi se kur një klub si Arsenal shtron tapetin e kuq dhe tregon interes maksimal, çdo lojtar ka detyrimin t’i kushtojë rëndësinë e duhur.
Megjithatë, ai theksoi se zemra e sulmuesit i përket skuadrës madrilene dhe dëshira e tij mbetet të qëndrojë aty edhe për shumë vite të tjera. Agjenti nënvizoi se është e rrallë në futbollin e sotëm që një lojtar ta nisë dhe ta mbyllë karrierën në të njëjtin klub, duke kujtuar se Vinicius e nisi rrugëtimin e tij në moshën 18-vjeçare.
“A e ka menduar ndonjëherë seriozisht Arsenalin? Sigurisht që e ka menduar. Kur një ekip si Arsenali shtron tapetin e kuq për ty dhe të bën të ndihesh sikur të duan vërtet, atëherë padyshim që duhet t’i kushtosh vëmendje. Por ai është aty ku dëshiron të jetë dhe ne jemi të lumtur që është atje.
Nuk ndodh shpesh që një lojtar ta fillojë karrierën e tij në një klub dhe ta përfundojë atje. Ai e filloi udhëtimin e tij në moshën 18 vjeç dhe tani është 26 vjeç. Ai tashmë ka fituar kaq shumë trofe.
Të qëndrosh në një klub dhe klubin më të mirë në botë për të gjithë karrierën tënde është diçka vërtet e veçantë”, u shpreh Yormark.