Otrant Olimpik barazon me kampionin e Malit të Zi, ruan kreun e tabelës

Futboll

Otrant Olimpik barazon me kampionin e Malit të Zi, ruan kreun e tabelës

Nga: K.Goca Më: 24 tetor 2026 Në ora: 15:56
Otrant Olimpik

Skuadra shqiptare nga Ulqini, Otrant Olimpik, ka barazuar 1:1 me kampionin në fuqi të Malit të Zi, Sutjeskën e Nikshiqit, duke fituar një pikë të rëndësishme dhe duke ruajtur vendin e parë në tabelë.

Në një atmosferë të bukur në Ulqin, Otrant Olimpik zhvilloi një ndeshje të fortë ndaj skuadrës nga Nikshiqi, duke dëshmuar edhe një herë se rezultatet e mira të këtij sezoni nuk janë të rastësishme.

Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 10-të, kur Simun realizoi për 0:1. Megjithatë, gëzimi i Sutjeskës nuk zgjati shumë, pasi Gjuroviq shënoi në minutën e 24-t për të barazuar rezultatin në 1:1.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe të dyja skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë.

Pas 12 javësh kampionat, Otrant Olimpik vazhdon të kryesojë tabelën me 21 pikë, i ndjekur nga Mornari me 20 pikë, Buduçnosti me 19, ndërsa Sutjeska dhe Bokeli kanë nga 18 pikë.

Presidenti i klubit nga Ulqini, Skendo Rexha, po shijon një ecuri që pak kush e kishte parashikuar në fillim të sezonit. Otrant Olimpik ka regjistruar deri më tani gjashtë fitore, tri barazime dhe tri humbje, me gol-dallim 21:15.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat