FIFA po përgatitet të nisë një fazë të rëndësishme në organizimin e Kupës së Botës 2030.
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, një delegacion i institucionit më të lartë të futbollit botëror do të inspektojë stadiumet dhe qytetet kandidate në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Qëllimi i këtyre vizitave është të vlerësohet infrastruktura sportive, kapaciteti organizativ dhe përgatitjet për zhvillimin e ndeshjeve të kompeticionit më të madh të futbollit.
Në listën e qyteteve kandidate janë përfshirë 15 destinacione: Agadir, Barcelona, Bilbao, Kazablanka, Fez, Las Palmas, Lisbona, Madrid, Marrakesh, Porto, Rabat, San Sebastian, Sevilje, Tanxher dhe Zaragoza.
Gjatë inspektimeve, përfaqësuesit e FIFA-s do të takohen me autoritetet vendore dhe kombëtare, drejtuesit e stadiumeve, operatorët e transportit, përfaqësuesit e sektorit të akomodimit dhe partnerë të tjerë të përfshirë në organizimin e turneut.
Vlerësimi do të ndihmojë në përcaktimin e qyteteve dhe stadiumeve që plotësojnë kriteret për të pritur ndeshjet e Botërorit.
Megjithatë, FIFA ka bërë të ditur se lista përfundimtare e vendeve pritëse dhe shpërndarja e ndeshjeve nuk janë përcaktuar ende.
Botërori 2030 do të ketë një organizim të veçantë, pasi Spanja, Portugalia dhe Maroku do të ndajnë pritjen e turneut, ndërsa Uruguai,
Argjentina dhe Paraguai do të presin ndeshje në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Kupës së Botës. Vendimet përfundimtare për qytetet pritëse dhe stadiumet do të merren pas përfundimit të vlerësimeve dhe procesit të planifikimit të ndeshjeve.