Ivan Toney deklarohet i pafajshëm

Futboll

Ivan Toney deklarohet i pafajshëm

Më: 29 tetor 2026 Në ora: 15:05
Ivan Toney

Sulmuesi anglez Ivan Toney është deklaruar i pafajshëm për akuzën e sulmit, pas një incidenti të pretenduar në një klub nate në Londër, që kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2025.

Toney u paraqit të enjten në Gjykatën e Kurorës në Southwark, ku e mohoi zyrtarisht akuzën. Gjykimi i tij është caktuar paraprakisht për 12 qershor të vitit 2028.

Incidenti i pretenduar kishte ndodhur në një klub nate dhe hapësirë koncertesh në qendër të Londrës, ku një debat mes Toneyt dhe Saber Da Silvas kishte eskaluar në përleshje fizike.

Sipas raportimeve, ish-sulmuesi i Brentfordit dyshohet se e kishte goditur Da Silvan me kokë dhe më pas e kishte sulmuar me disa grushte. Viktima raportohet se kishte pësuar lëndime në hundë dhe gishta.

Policia kishte arritur në klub brenda gjysmë ore dhe e kishte larguar Toney nga lokali. Sulmuesi anglez ishte akuzuar zyrtarisht në korrik të këtij viti, pas një hetimi të Policisë Metropolitane.

Një zëdhënës i Toneyt kishte deklaruar më herët se futbollisti e pranonte ekzistencën e akuzës, por ishte i tronditur nga ajo, duke shprehur dëshirën për të pasur mundësinë që ta dëshmonte pafajësinë e tij në gjykatë.

Gjykimi i tij do të nisë më 12 qershor 2028, vetëm tri ditë pas fillimit të Kampionatit Evropian, që do të organizohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Kjo mund të ndikojë në mundësinë e Toneyt për të qenë pjesë e Evropianit, ku në atë kohë do të jetë 32-vjeçar.

Toney kishte shënuar 72 gola gjatë katër viteve te Brentfordi, përpara se në vitin 2024 të transferohej te Al-Ahli në Arabinë Saudite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat