Nuk ka diskutime, Bernard Karrica po përjeton sezonin më të mirë në karrierë.
Sulmuesi i Vorës ka statistika të pakonkurrueshme nga rivalët në Superiore, 6 gola dhe 2 asiste në 9 paraqitje.
Vetëm në 5 ndeshjet e fundit me ekipin vorak, 25-vjeçari numëron 5 finalizime dhe 1 asist, më shumë gola se skuadra e Partizanit në këtë segment ndeshjesh, 4 të tillë.
Pas tregolëshit ndaj “Demave të Kuq”, Karrica e bëri të qartë se objektivi personal është trofeu i golashënuesit në Superiore, ku deri tani po e bën më së miri “detyrën” para kuadratit rival.
Pavarësisht se në elitën e futbollit shqiptar gjenden emra me “peshë” si Albanese, Xhixha, Adjessa apo Lorenco Vila, Karrica po demonstron tjetër “nivel”.