Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Amir Abrashi, ka arritur një jubile të veçantë në karrierën e tij, duke regjistruar 300 paraqitje me fanellën e Grasshoppersit.
Për këtë arritje, kapiteni shqiptar u nderua me një fanellë speciale dhe një buqetë me lule, në shenjë respekti për kontributin e tij në klubin zviceran.
Sipas mediumit zviceran “Blick”, para ndeshjes ndaj Vaduzit u nderuan ish-futbollisti i Grasshoppersit, Andy Egli, dhe kapiteni aktual, Amir Abrashi.
Derisa Egli mbajti një fjalim, jubileu i kapitenit shqiptar nuk mori vëmendjen e merituar. Abrashi e kishte regjistruar paraqitjen e 300-të me Grasshoppersin në ndeshjen e Kupës kundër Grenchenit.
Gjatë ceremonisë, atij iu dhuruan një fanellë speciale dhe një buqetë me lule, por pa një prezantim të veçantë.
Në anën tjetër, bashkëlojtarët u kujdesën që ky jubile të mos kalonte pa u shënuar.
Ata kishin veshur fanella speciale gjatë nxehjes dhe i krijuan një korridor nderimi kapitenit të tyre, duke i shprehur respektin për përkushtimin dhe kontributin e dhënë ndër vite.
Ndërkohë, Abrashi u paraqit titullar në ndeshjen ndaj Vaduzit, e cila përfundoi me rezultat 2:2, në kuadër të javës së 12-të të kampionatit zviceran.