El Mala shpëton Kolnin

Futboll

El Mala shpëton Kolnin

Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 19:46
Festë mes vëllezërve: Said El Mala përgëzon vëllanë e tij, Malek El Mala (djathtas), për golin e shënuar në debutimin e tij në Bundesligë

Kolni merr një pikë në udhëtim në Berlin, falë golit të Malek El Malas, i cili shënoi në debutimin e tij në Bundesligë.

Union Berlini dhe Kolni janë ndarë në barazim 1:1, në kuadër të javës së tetë të Bundesligës gjermane.

Pesë ditë pas fitores së thellë 5:0 ndaj Kolnit në Kupën e Gjermanisë, Union Berlini kërkonte një tjetër sukses përballë të njëjtit kundërshtar, kësaj radhe në stadiumin “An der Alten Försterei”.

Vendasit e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e 11-të. Skarke depërtoi bukur në vijën fundore dhe asistoi te Haberer, i cili nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.

Kolni pati shumë vështirësi në pjesën e parë dhe nuk arriti të krijonte raste. Në anën tjetër, Union Berlini ishte afër golit të dytë në minutën e 42-të, por portieri Schwabe devijoi në traversë goditjen e Burcut.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, edhe pjesa e dytë nuk solli shumë ndryshime në lojë. Union Berlini u përqendrua kryesisht në mbrojtje, ndërsa Kolni kërkonte hapësira për të barazuar rezultatin.

Megjithatë, goli i barazimit erdhi në minutën e 79-të. Malek El Mala, i cili ishte inkuadruar në lojë për të debutuar në Bundesligë, shfrytëzoi një top të kthyer pas goditjes nga këndi dhe nga afërsia realizoi për 1:1.
Kështu, debutimi i tij në elitën e futbollit gjerman u bë edhe më i veçantë, pasi i siguroi skuadrës së tij një pikë të rëndësishme.

Statistikat e ndeshjes

Kolni ishte skuadër më kërkuese gjatë takimit, duke dominuar në posedimin e topit me 63 për qind, kundrejt 37 për qind të Union Berlinit.

Mysafirët regjistruan edhe 14 goditje drejt portës, ndërsa vendasit vetëm pesë. Në goditjet nga këndi, Kolni pati gjashtë, ndërsa Union Berlini dy.

Kolni është në vend të 13-të me 9 pikë, ndërsa Union Berlini në vend të 16-të me 7 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat