Emra me peshë

Futboll

Emra me peshë

Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 13:13
Futbollisti Olise

Problemet me dëmtimet te Bajerni u përkeqësuan edhe më shumë fundjavën e kaluar.

Megjithatë, Luis Dias dhe Musiala janë një hap më pranë rikthimit, ndërsa lajme pozitive ka edhe për Olisen dhe Manuel Nojerin. Bajerni pagoi një çmim të lartë për barazimin 2-2 në supersfidën ndaj Dortmundit, pasi Ismael Saibari, Gnabri dhe Olise u detyruan të linin fushën për shkak të dëmtimeve.

Ndërsa në fillim dëmtimi i Olises nuk dukej serioz, shumë shpejt u bë e qartë se dy sulmuesit e tjerë do të mungonin për një periudhë të gjatë.

Kjo u konfirmua të dielën: Saibari i ishte nënshtruar tashmë me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa Gnabri kishte pësuar një dëmtim muskulor në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Gjendja e Olises mbeti fillimisht e paqartë, megjithëse drejtori sportiv i Bajernit, Maks Eberl, kishte dhënë disa sinjale pozitive menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Eberl ka të ngjarë të jetë lehtësuar kur mësoi të hënën pasdite se sulmuesi francez ishte bashkuar me skuadrën në stërvitjen e fundit përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Atletikos së Madridit. Në stërvitje me grupin ishte edhe Manuel Nojeri, i cili kishte munguar në të gjithë përballjen ndaj Dortmundit për shkak të dhimbjeve në këmbë. Por lajmet e mira nuk përfunduan këtu: Të dy lojtarët udhëtuan gjithashtu drejt Madridit pasditen e së hënës, si pjesë e listës zyrtare të skuadrës.

Bajerni mbërriti në kryeqytetin spanjoll rreth orës 19:00. Luis Dias dhe Jamal Musiala nuk do të jenë sërish në dispozicion për ndeshjen e së martës në mbrëmje, pasi, njësoj si Saibari dhe Gnabri, po rikuperohen nga dëmtimet.

Megjithatë, të dy sulmuesit kanë bërë një tjetër hap drejt rikthimit në fushë. Pas një dëmtimi të lehtë muskulor, Luis Dias zhvilloi të hënën në mëngjes seancën e parë individuale me top. E njëjta gjë vlen edhe për Musialën, i cili u stërvit me top. 23 vjeçari luajti për herë të fundit me bavarezët më 18 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat