Klubi zviceran BSC Young Boys po ndërmerr hapa gradualë për përmirësimin e kushteve të futbollisteve, duke i kushtuar rëndësi të veçantë shëndetit mendor, menaxhimit të ngarkesës dhe mbështetjes individuale.
Te skuadra e femrave të Young Boys, zhvillimi nuk po bëhet me hapa të nxituar, por përmes një procesi të qëndrueshëm, me synimin për të krijuar kushte sa më të mira për lojtaret.
Franziska Schild, menaxhere e përgjithshme e sektorit të futbollit të femrave në YB, ka theksuar se mirëqenia e futbollisteve është një nga prioritetet kryesore të klubit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me angazhimin profesional të lojtareve.
Sipas Schild, para tre deri në katër vjetësh, futbollistet punonin nga 80 deri në 100 për qind jashtë futbollit, ndërsa sot shumica e tyre kanë kaluar në një status gjysmëprofesionist.
Një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja psikologjike. Klubi ka angazhuar një trajner të shëndetit mendor (Mental Coach), i cili shërben si pikë e parë e kontaktit për futbollistet, duke ofruar ndihmë dhe përkrahje individuale.
Zhvillim gradual dhe i qëndrueshëm
Schild ka theksuar se futbolli i femrave ende nuk i ka strukturat dhe mundësitë financiare të futbollit të meshkujve, prandaj ndryshimet duhet të bëhen në mënyrë të planifikuar.
“Është e rëndësishme për ne që zhvillimi të bëhet hap pas hapi dhe në mënyrë të qëndrueshme”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, përmirësimi i kushteve për futbollistet duhet të shoqërohet edhe me rritjen e të hyrave financiare të klubit, proces që kërkon kohë.
Young Boys, kampion i Zvicrës në sezonin 2024/25, synon të vazhdojë zhvillimin e sektorit të femrave, duke krijuar një ambient ku futbollistet mund të përparojnë profesionalisht dhe të kenë mbështetjen e nevojshme edhe jashtë fushës së lojës.