Dy asistime për tre minuta nga Brajan Gruda në Gjermani

Futboll

Dy asistime për tre minuta nga Brajan Gruda në Gjermani

Nga: K.G. Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 16:31
Brajan Gruda, me fanellën me numrin 10, feston me bashkëlojtarin e tij te Leipzigu, David Raum

Futbollisti shqiptar, Brajan Gruda, shkëlqeu me fanellën e Leipzigut, duke dhuruar dy asistime brenda vetëm tri minutave në fitoren 5:2 kundër Augsburgut, në ndeshjen e javës së nëntë të Bundesligës.

Gruda ishte protagonist në përmbysjen e rezultatit, duke kontribuar drejtpërdrejt në dy golat e parë të skuadrës së tij.

Në minutën e parë, Orban gaboi në vlerësimin e një topi të gjatë drejt Arijon Ibrahimoviqit, goditjen e ulët të të cilit arriti ta ndalte Vandevoordt. Megjithatë, portieri ishte i pafuqishëm përballë goditjes së dytë të Kades, i cili e dërgoi topin në rrjetë për 0:1.

Në minutën e 33-të, Gruda përgatiti në mënyrë të shkëlqyer aksionin, ndërsa Banzuzi goditi ulët nga rreth 20 metra, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1:1.

Vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 35-të, talenti shqiptar dhuroi asistimin e dytë. Gruda depërtoi bukur dhe harkoi topin në qendër të zonës, ku Nkunku, pothuajse i pambuluar, goditi fuqishëm nën traversë për 2:1.

Me dy asistime brenda tri minutave, Gruda dëshmoi edhe një herë cilësitë e tij në futbollin gjerman.

Në minutën e 45+1, David Raum realizoi një gol spektakolar nga goditja e lirë. Ai e kaloi topin me mjeshtëri mbi murin mbrojtës, ndërsa topi preku shtyllën e brendshme dhe përfundoi në rrjetë për 3:1.

Në minutën e 46-të, Arijon Ibrahimoviq u largua nga loja, ndërsa në vend të tij te Augsburgu u inkuadrua Alexis Claude-Maurice.

Një pasim i zgjuar në thellësi nga Raum krijoi hapësirën e nevojshme. Nkunku pasoi ulët, ndërsa Rômulo, nga afërsia, e dërgoi topin në rrjetë për 4:1 në minutën e 60-të.

Brajan Gruda u zëvendësua në minutën e 65-të, pas një paraqitjeje shumë të mirë.

Vetëm një minutë më vonë, Leipzigu zhvilloi një aksion të shpejtë nga krahu i majtë. Nusa pasoi te Baumgartner, i cili nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 5:1.

Në minutën e 90+2, Uchenna Ogundu përfitoi nga një pasim fantastik në thellësi, doli i vetëm përballë portierit dhe goditi fuqishëm, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë për rezultatin përfundimtar 5:2.

Pas kësaj fitoreje, Leipzigu renditet në vendin e tretë me 18 pikë, tri më pak se lideri Bayern Munih dhe Borussia Dortmundi, që kanë nga 21 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat