Gazetari kroat Drazhen Antoliq ka përgatitur një reportazh të gjatë për mediumin “Jutarnj List”, pas ndeshjes mes Nottingham Forestit dhe Manchester Cityt.
Në reportazhin e tij, gazetari kroat përmend Kosovën
“Nëse po pyesni se si arrita të mbaja në duar brezin e kampionit britanik të boksit, duhet ta lexoni këtë tekst deri në fund.
Pas Sunderlandit dhe Neëcastle-it, nëse jeni duke pritur ardhjen e Kombëtares kroate në Londër, një zgjedhje shumë e mirë për fundjavë është Manchesteri.
Manchester City luajti në Nottingham dhe përjetoi një tjetër zhgënjim. Humbja e tretë radhazi në Premierligë tregon se diçka nuk po funksionon te skuadra e kushtueshme e Pep Guardiolës. Në këto rrethana, një ide e përkryer dukej të ishte ndjekja e ndeshjes në barin e licencuar të tifozëve të Cityt, Mary D's Beamish. Nëse gjithçka do të shkonte sipas planit...
Dhe këtu nuk e kam fjalën për transportin publik në Manchester, i cili për nga vonesat mund të krahasohet me atë të Zagrebit.
Sapo hyn brenda, të bie menjëherë në sy murali i Phil Fodenit. Ne mbërritëm bashkë me kolegun tim gjatë pjesës së parë të ndeshjes. Atmosfera ishte e zymtë, pasi Nottingham Foresti po udhëhiqte 2:0. Herë pas here dëgjohej ndonjë brohoritje, ndërsa në vend të zërit të stadiumit, në altoparlantë dëgjohej muzikë.
Ekrane kishte gjithandej, ndërsa të gjitha vendet në hapësirën e madhe ishin të zëna”, shkruan gazetari kroat, duke vazhduar: “Personit të parë që takuam iu prezantuam si mysafirë nga Kroacia, ndërsa ai na përshëndeti:
“Mirëmbrëma”.
Si kështu? Nga jeni?
“Kam punuar në Kosovë”.
E pyeta nëse fliste edhe kroatisht.
“Policia. Forcat ndërkombëtare. Di gjithçka për Kosovën, për veriun e saj të tensionuar, si dhe për marrëdhëniet e kroatëve me kosovarët dhe serbët. Kush me kë është mik dhe kush me kë është armik”, tha duke qeshur, para se ta vazhdonim bisedën në anglisht.
Nisa të bëja disa fotografi për reportazhin. E ngrita telefonin për të gjetur këndin më të mirë, në mënyrë që të dukeshin flamujt, simbolet e Cityt dhe tifozët e shumtë, përfshirë edhe disa vajza që po fotografoheshin për Instagram.
Nuk kisha arritur ende të bëja asnjë fotografi, kur një person u hodh me zemërim drejt meje.
“Çfarë po fotografon? Kë po fotografon? Fshiji ato!”
Telefoni
I tërbuar dhe me fytyrë të skuqur, ai mu afrua në mënyrë kërcënuese. I tregova në telefon se nuk kisha fotografuar ende asgjë dhe se nuk kishte arsye për shqetësim, nëse kishte ndonjë problem.
Por ai ma mori telefonin dhe nuk ma kthente.
U përpoqa ta merrja, por ai e fshihte pas shpinës. Bërtiste dhe më shikonte me zemërim:
“Pse po na fotografon? Kush je ti?”
I shpjegova se isha gazetar nga Kroacia dhe po përgatisja një reportazh për tifozët e Manchester Cityt, por ai nuk dëgjonte asgjë nga ato që i thosha.
“Pse po na fotografon?”, e përsëriste katër-pesë herë, sikur të priste vetëm një lëvizje apo një fjalë më të ashpër nga ana ime për të kaluar në dhunë fizike.
I njihja tipat e tillë nga përvojat e mëhershme. Huliganë dhe njerëz të dhunshëm, të cilëve, kur u errësohet mendja, u humbin të gjitha frenat.
U afrua edhe një person tjetër, me gjasë shoku i tij, dhe të dy filluan të më konfrontonin.
Pikërisht në atë moment u shfaq sërish specialisti që kishte punuar në Kosovë. Ai e nxori jashtë personin që më kishte marrë telefonin. Unë shkova pas tyre, sepse telefoni im ishte ende në duart e tij.
“Pse po zemërohesh? Në vendin tim është krejt normale të fotografosh tifozët në një bar», i thashë edhe një herë.
Ndërkohë, miku im i ri nga Kosova iu afrua dhe i tha disa fjalë, ndër të cilat edhe një fjali që, me sa duket, ishte vendimtare:
“Nëse nuk ia kthen menjëherë telefonin, do ta thërras policinë, sepse ke marrë pronën e dikujt tjetër”.
Në fund, arrita ta merrja përsëri telefonin.
Huligani
U ktheva në pub, e piva birrën deri në fund dhe u largova. Në atë moment e urreja Manchester Cityn.
Kështu, një pjesëtar anglez që kishte punuar në Kosovë më shpëtoi nga duart e një huligani të tërbuar.
Pak më tutje ndodhej një tjetër bar, The Toënley, gjithashtu i frekuentuar nga tifozët e futbollit.
Aty po ndiqej ndeshja dhe atmosfera ishte më e mirë. Tifozët ishin disi më të moshuar.
Rayan Cherki shënoi një gol të bukur dhe riktheu shpresën, por Liam Delap u përgjigj me një gol pothuajse edhe më të bukur. Në fund, City pësoi humbjen 3:1.
“Mirë ua bëftë”, mendova me vete.
“Unë jam i huaj”, i thashë një zonje.
“Jo, këtu te ne askush nuk është i huaj. Ndihuni si pjesëtar i familjes sonë”, mu përgjigj ajo, duke ma përmirësuar menjëherë humorin.
Biseda vazhdoi dhe e pyeta se çfarë dënimi prisnin, pasi vendimi përfundimtar po afrohej. Ndoshta edhe kjo situatë po ndikonte te skuadra.
“Ne jemi të pafajshëm”, u përgjigj prerazi një djalosh i ri, i cili u prezantua si Joe.
“Ata po shikojnë nëse janë shpenzuar disa milionë më shumë apo më pak, sikur të tjerët të mos shpenzonin para», vazhdoi ai.
Aty ishte edhe Tony, një tifoz me përvojë, i cili qëndronte pranë banakut.
“Nuk është se ne blejmë një Rolls-Royce, ndërsa të tjerët një Mini Morris, e pastaj na thonë se nuk luajmë ndershëm, ndërsa të tjerët janë të pastër. Titujt tanë janë fituar në mënyrë sportive, në fushë, përmes lojës dhe punës së trajnerëve. Askush nuk ka të drejtë të na i marrë. Askush! Mua më intereson fusha e lojës, jo zyrat dhe bilancet financiare. Kjo nuk është temë për një tifoz futbolli».
Po sikur ta zbresin klubin në një kategori më të ulët?
“Ka shumë mundësi që kjo të ndodhë. Shumë prej nesh janë të vetëdijshëm për këtë. Por nuk ka rëndësi. Do të jemi edhe më pranë klubit, stadiumi do të jetë plot në çdo ndeshje dhe do të rikthehemi për ta fituar sërish Premierligën. Ndoshta pas pesë vjetësh, ndoshta edhe më vonë, por do të bëhemi përsëri kampionë.
Megjithatë, e gjithë kjo nuk është e drejtë».
Ishin ditë të vështira për tifozët e Cityt, por më në fund gjeta një atmosferë pozitive dhe arrita ta ndieja pulsin e tyre.
Nuk e urreja më Manchester City,
Manchesteri, qyteti ku sporti dhe muzika nuk ndalen
Nga Sportcity, pjesa lindore e qytetit ku ndodhet stadiumi Etihad dhe baret e përmendura, vetëm rreth dy kilometra larg qendrës, u kthyem drejt zonës kryesore të qytetit.
Manchesteri ishte në festë.
Qyteti është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik, kryesisht falë sportit dhe muzikës. Këtu janë Manchester United dhe Manchester City, por nga ky qytet vijnë edhe Oasis, The Smiths dhe The Stone Roses.
Restorantet, pub-et dhe hapësirat e koncerteve ishin të mbushura plot. Rrugët gumëzhinin nga njerëzit, sikur të ndodheshim në një prej destinacioneve më të frekuentuara bregdetare në kulmin e verës.
Atmosfera ishte fantastike. Dikush kishte organizuar edhe një spektakël të madh fishekzjarrësh.
Hymë në The Freemount, një lokal që inteligjenca artificiale e rendit ndër vendet më të mira për argëtim.
Në Angli mund të jeni të sigurt për birrë cilësore dhe muzikë të mirë. Atmosfera ishte e shkëlqyer, me muzikë live dhe artistë që ndërroheshin njëri pas tjetrit. Ndoshta disa prej tyre do të bëhen yje në të ardhmen.
Njëri performonte me fizarmonikë, ndërsa pranë nesh ndodhej një grup prej gjashtë-shtatë personash, të cilët mbanin një brez të kampionit të boksit.
Menjëherë ma ofruan që të fotografohesha edhe unë me të.
E vendosa mbi supe. Pse jo?
Kush do ta mendonte se do të përfundoja duke mbajtur një brez të kampionit britanik të boksit?
“Kush po feston? I kujt është ky brez?”, pyeta i interesuar.
“I imi. Është brezi i kampionit britanik në boksin amator, në kategorinë cruiserëeight (pesha e lehtë e rëndë)», u përgjigj njëri prej tyre.
Nuk jam ndonjë ekspert i madh i boksit, prandaj e pyeta se si quhej.
“Dalton Smith”.
Në atë moment ndërhyri një tjetër:
“Jo, brezi është imi. Unë jam Dalton Smith”.
Çfarë po ndodhte këtu, Kviskoteka?
Bëmë disa kërkime dhe personi i dytë vërtet i ngjante shumë Dalton Smithit, kampionit botëror të ËBC-së në kategorinë super të lehtë, por nuk ishte ai. Ishte dukshëm më i gjatë dhe më i fuqishëm.
Ata po argëtoheshin dhe dukeshin mjaft të lumtur. Në fakt, as nuk kishte shumë rëndësi se i kujt ishte brezi apo cilës organizatë i përkiste. Madje, as nëse e kishin blerë në ndonjë treg.
Megjithatë, duke parë se sa shumë dëshironin të gjithë të fotografoheshin me të, ka shumë mundësi që njëri prej gjashtë-shtatë personave ta kishte fituar vërtet.
Brenda vetëm disa orësh, arrita të shpëtoja nga kthetrat e një tifozi të tërbuar dhe të fotografohesha me brezin e kampionit të boksit.
Në Manchester, definitivisht nuk ka vend për mërzi!".