Asistuesi më i mirë i Superligës i thotë jo Zvicrës, Kosova dhe Shqipëria në garë

Futboll

Asistuesi më i mirë i Superligës i thotë jo Zvicrës, Kosova dhe Shqipëria në garë

Nga: Bota sot Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 14:07
Fotoilustrim

Asistuesi më i mirë i Superligës zvicerane, Lutfi Dalipi, ka vendosur të mos luajë për kombëtaren e Zvicrës. 20-vjeçari, i cili këtë sezon po shkëlqen me Vaduzin e sapongjitur në elitë, do të përfaqësojë në të ardhmen Kosovën ose Shqipërinë, ka raportuar gazeta zvicerane Blick.

Mesfushori sulmues, talent i rritur te Young Boys, ka 14 kontribute në gol në 12 ndeshje, prej të cilave 9 asistime, numër që deri tani nuk e ka arritur asnjë lojtar tjetër në kampionat. Përveç Zvicrës, Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka të drejtë të luajë edhe për Portugalinë.

Premtimi për gjyshin

Sipas Blick, të dyja federatat shqiptare po e ndjekin me shumë interes, ndërsa Dalipi i ka premtuar gjyshit të tij se do të luajë për Kosovën ose për Shqipërinë. Vendimi përfundimtar se cilën nga të dyja do ta zgjedhë ende nuk është marrë.

Ai ka refuzuar edhe ftesën për ndeshjet e radhës të Zvicrës U21, sepse, pasi kishte vendosur të mos luajë për Zvicrën, nuk donte t'i zinte vendin një lojtari tjetër.

Yakin: Nuk mund t'i ftojmë të gjithë

Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, nuk e përfshiu në listën për Ligën e Kombeve. Ai e cilësoi Dalipin lojtar të ri premtues, por tha se, me kaq shumë mesfushorë në dispozicion, e ka të vështirë të hyjë në skuadër. Sipas Yakinit, Zvicra nuk mund t'i ftojë të gjithë lojtarët me shtetësi të dyfishtë vetëm për t'i aktivizuar për një minutë.

Pas Leon Avdullahut, Albian Hajdarit dhe Alessandro Romanos, Federata Zvicerane e Futbollit humb kështu edhe një talent të rritur në Zvicër. Kosova, ndërkohë, pret Izraelin më 14 nëntor në Prishtinë dhe tri ditë më vonë luan në Dublin ndaj Irlandës, në dy ndeshjet e fundit të grupit në Ligën e Kombeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat