Murat Yakin do të drejtojë ndeshjen e tij të 70-të si përzgjedhës i Kombëtares së Zvicrës

Futboll

Murat Yakin do të drejtojë ndeshjen e tij të 70-të si përzgjedhës i Kombëtares së Zvicrës

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 14:30
Në kohën kur mori detyrën, kishte skepticizëm - Murat Yakin

I marrë në mënyrë të papritur nga Challenge League në verën e vitit 2021, Murat Yakin të premten, në Maribor, do të ulet për herë të 70-të në bankinë si përzgjedhës i Kombëtares së Zvicrës. Një epokë me ngritje dhe rënie.

Sipas mediumit zviceran “SFR”, në gusht të vitit 2021, emrat që përmendeshin si pasues të Vladimir Petkoviqit në postin e përzgjedhësit të Zvicrës ishin të pritshëm: Marcel Koller, Urs Fischer dhe Bernard Challandes.

Por, në fund, Federata Zvicerane e Futbollit i befasoi të gjithë duke zgjedhur Murat Yakinin, një trajner që në atë kohë punonte në Schaffhausen, pra larg skenës së madhe të futbollit.

Për këtë arsye, disa ekspertë e pritën me skepticizëm emërimin e trajnerit të Challenge League në krye të kombëtares. Kjo, pavarësisht përvojës së tij në klube si Thun, Luzern, Basel (me të cilin u shpall dy herë kampion) dhe Spartak Moska.

Edhe Beni Huggel u befasua nga ky vendim.

“Fillimisht, ai nuk ishte fare në mesin e kandidatëve”, thotë ish-bashkëlojtari i Yakinit dhe eksperti i sotëm i SRF-së për agjencinë Keystone-SDA.

“Ishte një vendim i guximshëm nga të dyja palët. U mor një trajner nga Challenge League, ndërsa vetë trajneri përballej me një kualifikim shumë të vështirë”.

Një sukses i madh që në fillim

Yakin trashëgoi një detyrë shumë të vështirë. Nën drejtimin e Petkoviqit, Zvicra kishte arritur për herë të parë në çerekfinale të Kampionatit Evropian dhe kishte eliminuar kampionen e botës, Francën.

Nuk u bë kurrë e ditur nëse Yakin ishte zgjedhja e parë e federatës. Gjithashtu, nuk u mohua se në listën e kandidatëve ishin edhe Challandes dhe Weiler.

Megjithatë, drejtori i atëhershëm i kombëtares, Pierluigi Tami, shprehu bindjen e tij të plotë:

“Jemi plotësisht të bindur se kemi bërë zgjedhjen më të mirë”.

Sipas tij, Yakin ishte një personalitet i fortë, me përvojë të madhe ndërkombëtare.

“Një trajner i ri, modern zviceran, me një ide të qartë loje, kompetencë të lartë teknike në futboll dhe objektiva të përcaktuara saktësisht”.

Megjithatë, fillimisht Yakin mori vetëm një kontratë deri në përfundim të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2022.

Edhe pse në atë kohë thuhej se vazhdimi i kontratës nuk do të varej domosdoshmërisht nga kualifikimi në Botëror, askush nuk mund ta dijë se si do të kishte rrjedhur historia e viteve të fundit të kombëtares zvicerane, nëse Yakin nuk do të kishte arritur atë sukses të jashtëzakonshëm: ta linte pas Italinë, kampionen e Evropës, në rrugën drejt Katarit.

Ngritje dhe rënie

Ky nuk ishte suksesi i vetëm i madh i Yakinit.

Në Ligën e Kombeve 2022/23, pas një fillimi të dobët, Zvicra arriti t'i mposhtte Portugalinë dhe Spanjën.

Në Kampionatin Evropian 2024, kombëtarja zvicerane bëri përshtypje të jashtëzakonshme me fitoren bindëse 2:0 ndaj Italisë, në ndeshjen e 1/8 së finales, duke eliminuar kampionen në fuqi të Evropës.

Ndërsa në Kampionatin Botëror të zhvilluar këtë verë në Amerikën e Veriut, skuadra e drejtuar nga Yakin arriti deri në çerekfinale, ku u eliminua në mënyrë të pafat nga Argjentina.

Por pati edhe momente të vështira për t'u përballuar.

Humbja e rëndë 1:6 kundër Portugalisë në ndeshjen e 1/8 së finales së Botërorit 2022 vuri në pikëpyetje shumë gjëra.

Në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024, Zvicra përfundoi vetëm në vendin e dytë, pas Rumanisë.

Ndërsa në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve, kombëtarja zvicerane ra pa shumë rezistencë nga Liga A.

Që atëherë, humbjet janë bërë të rralla.

Humbja 2:3 kundër Spanjës, në nëntor të vitit 2024, ishte për një kohë të gjatë disfata e fundit e Zvicrës.

Në 24 ndeshjet e zhvilluara që atëherë, Zvicra ka dalë vetëm dy herë e mundur nga fusha: në një ndeshje miqësore spektakolare kundër Gjermanisë, që përfundoi 3:4, dhe në çerekfinalen e Kampionatit Botëror kundër Argjentinës.

Mjeshtri i taktikës

Mesatarja e pikëve të Yakinit është 1,74 për ndeshje. Kjo shifër është shumë afër mesatares së trajnerëve të tjerë të njohur të Zvicrës: Petkoviqit (1,79), Roy Hodgsonit (1,78) dhe Ottmar Hitzfeldit (1,77).

Para Yakinit, shifrën prej 70 ndeshjesh si përzgjedhës të kombëtares e kishin arritur vetëm Petkoviqi (78 ndeshje), si dhe trajnerët e ndjerë Karl Rappan (77 ndeshje) dhe Köbi Kuhn (73 ndeshje).

Sipas Beni Huggelit, Yakin është një njeri me vetëbesim, i qetë dhe i sigurt në vetvete.

“Ajo që e karakterizon Murin është fakti se ai mendon me shumë kujdes se ku mund t'i gjejë dobësitë kundërshtarit, si mund t'i shfrytëzojë ato në mënyrë të synuar dhe si ta përgatisë ekipin e tij sa më mirë për këtë”.

Jo pa arsye, kundërshtarët kanë pranuar disa herë se ishin mposhtur taktikisht nga Yakin.

Ky nuk është aspak një vlerësim i keq për një trajner të cilin federata zvicerane e kishte nxjerrë nga thellësitë e Challenge League për ta vendosur në krye të kombëtares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat