Tre gola, tri pikë, një fitore e bukur. Përballë ishte një Francë gjithsesi shumë e fortë në repartin ofensiv, pavarësisht mungesave të Kilian Mbapesë dhe Usman Dembelesë.
Një ndeshje që kishte nisur në mënyrën më të keqe të mundshme: pak lojë nga Italia në 20 minutat e para dhe ai gabim i rëndë i Xhanluixhi Donarumës, që i dhuroi golin Olisesë.
Në atë moment, Italia rrezikonte të pësonte një humbje të thellë. Por, përkundrazi, me karakter dhe këmbëngulje, arriti të rikthehej në lojë.
Merita kryesore ishte e shpërthimeve të Nikolo Kambjakit dhe instinktit të një golashënuesi të vërtetë të Pio Espozitos.
Fuqi dhe teknikë nga krahu i Bolonjës, i cili e kaloi me lehtësi Guaton dhe dërgoi në zonë atë top që numri 9 e shndërroi në ar, duke paraprirë Upamekanon.
As dy shtyllat e goditura nga francezët (në minutën e 34-t nga Barkola dhe në të 52-tën nga Sherki) nuk i trembën italianët. Ata morën kontrollin e lojës sërish falë një Kambjaki të pandalshëm, i cili e detyroi Guaton ta ndalte në mënyrë të parregullt brenda zonës. Më pas, nga pika e bardhë, ndodhi ai gabimi me karakter familjar që e zemëroi shumë Mançinin. Pio ia la ekzekutimin e penalltisë vëllait të tij, Sebastianos, i cili nuk arriti të godiste në kuadratin e portës.
Pak më vonë erdhën dy zëvendësimet që do të ndryshonin rrjedhën e ndeshjes. Vergara në vend të Sebastiano Espozitos (një zëvendësim që gjithsesi ishte paralajmëruar dhe nuk kishte karakter ndëshkues) dhe Dimarko në vend të Kambjakit. Shumë shpejt erdhi goli i avantazhit 2-1, pas një krosimi të përsosur të Dimarkos për Fratezin. Më pas, penalltia e fituar nga Vergara, i cili u ndal në mënyrë të parregullt nga Upamekano, dhe këtë herë Pio Espozito e shndërroi saktësisht në gol.
Përtej gabimeve të rënda të Donarumës dhe Sebastiano Espozitos, që meritojnë vlerësimin më negativ, Mançini ka marrë shumë sinjale pozitive. Organizimi i repartit mbrojtës ishte i shkëlqyer: qendërmbrojtësit Skjalvini dhe Bastoni ishin gjithmonë të vëmendshëm, ndërsa lojtarët e krahëve, Kajode dhe Kalafiori, u treguan gjithmonë aktivë në lojën sulmuese. Tonali, në rolin e organizatorit të lojës, bëri një punë të shkëlqyer në aspektin mbrojtës.
Fratezi arrin shifrën dyshifrore të golave me fanellën e Italisë, ndërsa Barela duket se është rikthyer në formën e atij lojtari energjik që kemi admiruar kaq shumë tek Interi. Pikërisht Interi ishte trampolina e karrierës për Pio Espoziton, 9 gola në 14 ndeshje me Kombëtaren. Nëse vazhdon kështu (duhet të kujtojmë se bëhet fjalë për një futbollist të lindur në vitin 2005), rekordi i Xhixhi Rivës, me 35 gola, mund të thyhet më në fund.
Pa dyshim, Italia ka thyer mallkimin ndaj Francës. Është e vërtetë që kishte fituar Kupën e Botës në Berlin, por në shtëpi nuk i mundte francezët që prej vitit të largët 1962, kur triumfoi 2-1 në Firence, me dy gola të Altafinit.
Të dielën, në Bruksel, Kombëtarja e Mançinit do të luajë për vendin e parë (me një fitore) ose për vendin e dytë (me një barazim). Me pak fjalë, Liga e Kombeve mund t’i dhurojë kënaqësi Italisë së re.
Një skuadër që në “San Siro” zbriti në fushë me plot shtatë lojtarë titullarë të lindur pas vitit 2000. Përjashtimet e vetme ishin “veterani” Barela (1997) dhe tre futbollistët e lindur në vitin 1999, Donaruma, Bastoni dhe Fratezi.