Përzgjedhësi i Kroacisë: Nuk e kam gjetur ende sulmuesin e parë, kemi disa alternativa

Futboll

Përzgjedhësi i Kroacisë: Nuk e kam gjetur ende sulmuesin e parë, kemi disa alternativa

Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 00:06
Përzgjedhësi i Kroacisë, Slaven Biliç

Përzgjedhësi i Kroacisë, Slaven Biliç, ka pranuar se ende nuk e ka të qartë se kush duhet të jetë sulmuesi kryesor i kombëtares kroate, pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

Kroacia mposhti Çekinë me rezultat 2:1 në “Opus Arena” të Osijekut, në ndeshjen e fundit të Grupit 3 në Ligën e Kombeve. Fitorja erdhi pas një përfundimi dramatik, pasi çekët barazuan në minutën e 84-t, por Lovro Majer shënoi golin e fitores vetëm tri minuta më vonë.

Sipas mediumit kroat, "Index", pas ndeshjes, Slaven Biliç foli për paraqitjen e skuadrës, sulmuesit dhe objektivat e arritur gjatë këtij cikli.
I pyetur se çfarë ka kuptuar për repartin ofensiv pas këtyre ndeshjeve, Slaven Biliç pranoi se ende nuk ka një zgjedhje të qartë për sulmuesin kryesor.

“Sa u përket sulmuesve, nuk do të gënjej. Nuk kam marrë dhe as nuk është dashur të marr një përgjigje konkrete pas gjashtë ndeshjeve. Nuk kemi një numër 1 të qartë.

Të gjithë luajnë mirë në klubet e tyre. Kështu ka qenë edhe te Zlatko. Kur futen nga banka rezervë, bëjnë gjëra të mira. Matanoviq sot, Budimir kundër Anglisë. Beljo ishte i mirë sot dhe dha një asistim të bukur. Më vjen mirë që krijoi disa raste”, deklaroi Slaven Biliç .

Ai përmendi edhe alternativat e tjera në repartin ofensiv, duke përfshirë Kramariqin, Musën dhe Ivanoviqin:

“Nuk mund të them se kush është numri 1 dhe kush numri 2. Secili ka cilësitë e veta. E shoh këtë si një privilegj, pasi kemi më shumë alternativa”.

I kënaqur me fitoren ndaj Çekisë: “Fituam me meritë. Mund ta kishim vendosur ndeshjen shumë më herët dhe jo ta lëmë gjithçka te një epërsi minimale. E nisëm shkëlqyeshëm dhe shënuam pas një aksioni fantastik.

Në pjesën e parë mund të shënonim edhe më shumë gola, por na mungoi energjia dhe klasi në pjesën e fundit të fushës. Në pjesën e dytë u ngritëm dhe luajtëm shumë mirë, por na mungonin golat”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat