Maqedonia e Veriut e përfundoi me humbje 0:3 ndaj Sllovenisë, në stadiumin “Todor Proeski”, një nga ciklet më të dobëta të saj.
Maqedonia e Veriut regjistroi gjashtë humbje dhe vetëm një gol të shënuar në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Një bilanc zhgënjyes, veçanërisht nëse merret parasysh se në të kaluarën, ndaj kombëtareve të forta, kishte zhvilluar paraqitje shumë më të mira.
Sigurisht, më së vështiri është për futbollistët, të cilët janë të vetëdijshëm se as vetë nuk i kanë përmbushur pritshmëritë. Për këtë situatë foli edhe futbollisti shqiptar Ezgjan Alioski, i cili pranoi se është e vështirë të gjendet një fjalë e mirë për gjendjen aktuale.
“Normalisht që është e vështirë të flasësh tani, pas kësaj ndeshjeje. Është vështirë të gjesh një fjalë të mirë. Urime Sllovenisë për fitoren. Na vjen keq që pas Zvicrës dhe Skocisë, ku zhvilluam ndeshje të mira dhe treguam se kemi cilësi e mund të bëjmë diçka, përfunduam duke humbur 0:3. Nëse i shikoni golat dhe mënyrën se si i pranuam, pas një kundërsulmi dhe një goditjeje nga këndi, shumë pak na mungoi. Ishte e vështirë për ne të riktheheshim në lojë.
Nuk është fundi. Është mirë që ky cikël po përfundon tani. Të gjithë duhet të mendojmë mirë se si do të rikthehemi në vitin e ri. Në të kaluarën kemi pasur rezultate të mira, por ato tashmë janë histori.
Kjo është Liga B e Ligës së Kombeve, patëm ndeshje të vështira, erdhën futbollistë të rinj dhe të gjithë patën mundësinë të dëshmoheshin. Këtu shihet se kush mund të luajë dhe kush jo.
Megjithatë, unë ende besoj se kjo skuadër do të jetë e përgatitur për ciklin e ardhshëm. Të gjithë jemi fajtorë, nuk ka rëndësi nëse jemi të rinj apo të vjetër.
Të gjithë futbollistët e rinj duhet ta shfrytëzojnë mundësinë. Është një përgjegjësi e madhe të luash për kombëtaren A. Duhet ta dish se çfarë do të thotë të luash për përfaqësuesen më të mirë. Është e lehtë të kërkosh fajtorë, por të gjithë jemi fajtorë. Jam i sigurt se në të ardhmen do të na ndihmojnë shumë".