Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka kërkuar nga futbollistët e tij që të tregojnë të njëjtin mentalitet dhe karakter që kishin në ndeshjen ndaj Austrisë, në përballjen me Kosovën që zhvillohet sonte në Dublin, nga ora 20:45.
Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, Hallgrímsson ka theksuar se skuadra e tij duhet të hyjë në fushë me një qasje fituese, pasi vetëm tri pikët i mbajnë gjallë objektivat e saj.
“Çështja tani është më shumë për arsye mentaliteti - se na duhet të kemi të njëjtin mentalitet, të njëjtët karaktere në fushë kundër Kosovës.Do të jetë një ndeshje po aq e vështirë sa ishte në Austri, kështu që duhet të transferojmë të njëjtin mentalitet dhe të njëjtin qëndrim me të cilin shkuam në Austri. Dhe nëse e bëjmë këtë, mendoj se do të kemi një nënprodukt të mirë, që është një fitore. Është e qartë se duhet ta fitojmë ndeshjen. Një barazim nuk do të na bëjë asgjë. Duhet ta fitojmë ndeshjen dhe ky është mentaliteti ynë”, ka deklaruar Hallgrímsson.
Përzgjedhësi irlandez e ka bërë të qartë se skuadra e tij nuk do të jetë e kënaqur me një barazim, duke e konsideruar fitoren si objektivin e vetëm në përballjen ndaj Dardanëve.
Ndeshja Irlandë – Kosovë zhvillohet sonte në Dublin, me fillim nga ora 20:45.