Vëmendja e futbollit evropian do të përqendrohet më 6 dhjetor, kur në Belfast, do të hidhet shorti i kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2028.
Një turne që do të organizohet nga katër vende: Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës.
Shorti do të përcaktojë 12 grupet kualifikuese, gjashtë prej të cilave me nga katër ekipe dhe gjashtë të tjera me nga pesë. Ndeshjet do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2027.
Risia më e veçantë e këtij edicioni lidhet me statusin e katër vendeve organizatore.
Për shkak se janë katër kombëtare që mund të synojnë njëkohësisht kualifikimin, UEFA ka vendosur që ato të marrin pjesë normalisht në eliminatore, por u ka rezervuar edhe dy vende të garantuara në fazën finale, në rast se nuk arrijnë të sigurojnë kualifikimin në fushën e lojës.
Nga 24 vendet që do të jenë në dispozicion për fazën finale, 20 do të përcaktohen drejtpërdrejt nga eliminatoret: 12 fituesit e grupeve dhe tetë skuadrat më të mira të renditura në vendin e dytë.
Katër biletat e mbetura do të varen nga rezultatet e katër kombëtareve organizatore.
Në varësi të numrit të vendeve pritëse që do të kualifikohen drejtpërdrejt, do të ndryshojë edhe mënyra e përcaktimit të vendeve të fundit përmes play-off-it.
Nëse të paktën dy organizatore sigurojnë kualifikimin, do të zhvillohet skema e zakonshme e katër vendeve në dispozicion.
Nëse vetëm njëra prej tyre kualifikohet, një tjetër do të përfitojë automatikisht një vend të rezervuar, ndërsa në rast se asnjëra nuk siguron kualifikimin në fushë, dy vendet e garantuara do t’u jepen dy prej organizatoreve, duke lënë vetëm dy bileta për t’u diskutuar në play-off.
Në varësi të skenarit, në fazën shtesë mund të marrin pjesë tetë ose deri në 12 kombëtare, me gjysmëfinale dhe finale me një ndeshje, ose me sistem vajtje-ardhje, në rastin kur do të jenë katër vende për t’u përcaktuar.
Por le të ndalemi te Shqipëria dhe rruga që e pret Kombëtaren tonë.
Kuqezinjtë do ta nisin këtë aventurë nga vazo e tretë, një pozicion që nuk i mbron nga përballjet me kundërshtarë të fortë. Turqia, Zvicra apo Austria që ndodhen në vazon e dytë janë disa prej emrave që mund të komplikojnë ndjeshëm rrugëtimin e Shqipërisë.
Megjithatë, shorti mund të rezervojë edhe përballje me një histori të veçantë. Çekia dhe Serbia janë dy kundërshtarë me të cilët Shqipëria ka kujtime të bukura në vitet e fundit.
Ndërkohë, në vazon e parë, niveli i rivalëve ngrihet ndjeshëm. Aty mund të gjenden emra si Spanja, Franca, Anglia dhe Holanda, por nëse jemi me fat shortohemi me Greqinë ose Kroacinë.
Euro 2028 do të zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik. Ndeshja hapëse është programuar në Cardiff, në stadiumin kombëtar të Uellsit, ndërsa finalja dhe të dyja gjysmëfinalet do të luhen në “Wembley” të Londrës.
Formati do të jetë i njëjtë me atë të përdorur që nga Euro 2016. Në fazën finale do të marrin pjesë 24 kombëtare, të ndara në gjashtë grupe.
Dy skuadrat e para të çdo grupi, së bashku me katër ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë, do të avancojnë në fazën e 1/8-ave, përpara se gara të vijojë me sistem eliminimi direkt.
Rruga drejt Euro 2028 nis me shortin e dhjetorit. Për Shqipërinë, një tjetër sfidë e madhe evropiane, me shpresën për të shkruar një kapitull të ri në historinë e saj futbollistike.