I refuzoi të gjitha ofertat

Futboll

I refuzoi të gjitha ofertat

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 15:37
Trajneri Pep Guardiola

Pep Guardiola ka marrë oferta nga Arabia Saudite, por i ka refuzuar të gjitha. Këtë e ka konfirmuar për gazetën saudite “Al Riyadiya” agjenti i tij shumëvjeçar, Josep Maria Orobitg.

“Ditëve të fundit, përmes ndërmjetësve, kemi marrë oferta nga Arabia Saudite”, deklaroi Orobitg, duke shtuar se Guardiola nuk dëshiron të shqyrtojë asnjërën prej tyre.

Ish-trajneri i Manchester Cityt, pas dhjetë vjetësh në stolin e klubit anglez, aktualisht është pa angazhim.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle dhe italiane, ai ishte lidhur me disa klube të ligës saudite, por edhe me postin e përzgjedhësit të kombëtares së Arabisë Saudite.

Shumat e ofertave nuk janë bërë të ditura.

Guardiola nuk po ngutet për t'u rikthyer në detyrën e trajnerit.

“Pep do të fillojë zyrtarisht të bisedojë për të ardhmen e tij rreth fillimit të sezonit të ardhshëm. Ky është vendimi përfundimtar në këtë moment”, deklaroi Orobitg.

Guardiola këto ditë po pushon në Dubai, ku është parë edhe në një ndeshje basketbolli.

Kjo nuk është oferta e parë që ai e ka refuzuar që nga largimi nga Manchester City.

Para disa ditësh ishte raportuar se ai kishte refuzuar edhe Federatën Italiane të Futbollit. Gjithashtu, emri i tij ishte përmendur si kandidat i mundshëm për ta pasuar Mauricio Pochettinon në stolin e kombëtares së SHBA-së, pasi argjentinasi u largua drejt Manchester Unitedit dhe pikërisht Guardiolën e kishte rekomanduar për këtë pozitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat