UEFA dënon Bosnjë-Hercegovinën

Futboll

UEFA dënon Bosnjë-Hercegovinën

Nga: BOTA SOT Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 21:23
Pamje nga një ndeshje

UEFA ka shqiptuar një tjetër dënim ndaj Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të sjelljes raciste dhe diskriminuese të tifozëve, si dhe incidenteve gjatë intonimit të himneve kombëtare në ndeshjen kundër Rumanisë.

Federata e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës do të duhet të paguajë gjithsej 30 mijë euro gjobë, ndërsa përfaqësuesja e këtij vendi do ta zhvillojë ndeshjen e ardhshme si vendase në një stadium me një pjesë të tribunave të mbyllura.

Nga shuma e përgjithshme, 20 mijë euro janë gjobë për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, ndërsa 10 mijë euro të tjera për incidentet dhe pengimin e mbarëvajtjes gjatë intonimit të himneve kombëtare.

Aktivizohet dënimi i mëparshëm me kusht

Mbyllja e një pjese të stadiumit do të zbatohet në ndeshjen kundër Danimarkës, në kuadër të plejofit. UEFA ka aktivizuar dënimin me kusht të shqiptuar më herët nga organi i saj i Apelit, më 13 tetor 2026.
Kjo do të thotë se pesë për qind e kapacitetit të stadiumit ku Bosnjë-Hercegovina do të luajë ndeshjen e ardhshme si vendase në një garë të UEFA-s do të mbetet e mbyllur.

Ndeshja kundër Rumanisë, e zhvilluar më 17 nëntor në Zenicë, në kuadër të Ligës së Kombeve, përfundoi me fitoren 2:1 të Bosnjë-Hercegovinës.

Përveç aktivizimit të dënimit të mëparshëm, UEFA ka shqiptuar edhe një gjobë prej 20 mijë eurosh për të njëjtën shkelje, si dhe një masë tjetër për mbylljen e pesë për qind të kapacitetit të stadiumit, konkretisht të ulëseve të ndodhura pranë njëra-tjetrës. Megjithatë, kjo masë e dytë është pezulluar me kusht për një periudhë prove prej dy vjetësh.

Federata e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës do të paguajë edhe 10 mijë euro të tjera për incidentet gjatë intonimit të himneve kombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që federata boshnjake dënohet për sjelljen e tifozëve. Pas ndeshjes kundër Suedisë në Stokholm, ajo ishte gjobitur me 45 mijë euro për përdorimin e mjeteve piroteknike, hedhjen e sendeve në fushë dhe dëmtimin e infrastrukturës së stadiumit.

UEFA kishte shqiptuar atëherë edhe një masë ndëshkuese që lidhej me shitjen e biletave për ndeshjen kundër Danimarkës.

U dënua edhe Rumania

Dënimit nuk i shpëtoi as Federata e Futbollit të Rumanisë, për shkak të incidenteve të shkaktuara nga tifozët e saj në Zenicë.

Federata rumune është gjobitur me 10 mijë euro, ndërsa tifozëve të saj do t'u kufizohet numri i biletave për një ndeshje të ardhshme si mysafire në garat e UEFA-s.

Në vend të kuotës së zakonshme prej pesë për qind të kapacitetit të stadiumit vendas, rumunët do të kenë në dispozicion vetëm 2,5 për qind të ulëseve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat