Xabi Alonso ka pranuar se Chelsea po kalon një periudhë me mungesë besimi dhe po has vështirësi për të ruajtur rezultatet, pas humbjes 3:2 në udhëtim ndaj Nottingham Forestit të premten. Kjo ishte humbja e tretë radhazi e londinezëve në Premierligë.
Trajneri i Chelseat u bëri thirrje të gjithëve në klub që të qëndrojnë të bashkuar.
Duke folur për “Sky Sports” pas humbjes në stadiumin “City Ground”, Alonso kërkoi që të gjithë në klub dhe në skuadër të bashkohen për ta kaluar këtë situatë.
“Të gjithë në klub dhe në skuadër duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe ta kalojmë këtë moment. Duhet të përballemi me situatën dhe ne jemi përgjegjës.
Është një periudhë e vështirë për të gjithë në klub, për skuadrën dhe tifozët. Jemi të zhgënjyer që humbëm sërish, por duhet të vazhdojmë të përpiqemi të gjejmë zgjidhje.
Nuk mund të ndalemi. Kemi mungesë besimi dhe skuadra po has vështirësi për t'i ruajtur rezultatet”, deklaroi Alonso.
Alonso i del në mbrojtje Fofanas, pavarësisht vërshëllimave
Wesley Fofana u vërshëllye nga tifozët e Chelseat që nga fillimi i ndeshjes, pas një interviste në YouTube, të dhënë pa autorizimin e klubit. Mbrojtësi shkaktoi penalltinë nga e cila Nottingham Forest shënoi golin e dytë, përpara se të zëvendësohej.
I pyetur për besimin e Fofanas, Alonso tha: “Duhet ta mbështesim secilin. E dimë se po kalojmë momente të vështira. Duhet të qëndrojmë të bashkuar”.
Duke folur për problemet në mbrojtje, ai shtoi:
“Sigurisht që mund të bëjmë më mirë. Në këtë nivel duhet të dish ta ruash rezultatin dhe të mos pësosh kaq
shumë gola. Pikërisht për këtë arsye po humbim”.
Vetëm Crystal Palace, skuadra që renditet në fund të tabelës, me 27 gola të pësuar, ka pranuar më shumë gola në kampionat sesa Chelsea, që deri në atë moment kishte pësuar 23.