Kombëtarja e Kroacisë U-17 e përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë, në Kupën e Botës për këtë grupmoshë që po zhvillohet në Katar.
Pas paraqitjeve të mira, kapiteni Jona Benkotiq (17 vjeç) mori edhe një vlerësim individual, pasi gazetarët e DAZN-it e përfshinë në formacionin më të mirë të fazës së grupeve.
Kroacia regjistroi dy fitore dhe një barazim, me një diferencë golash prej 12:1.
Benkotiq ishte pjesë e të tri ndeshjeve të kombëtares së tij. Në barazimin 1:1 kundër Senegalit, ai asistoi për Lukën Bartoloviqin, i cili shënoi golin e epërsisë.
Në fitoren 4:0 ndaj Taxhikistanit, mesfushori realizoi tregolësh, ndërsa në triumfin bindës 7:0 kundër Kubës regjistroi një asistim për golin e Toni Rusos.
Disa analistë e konsiderojnë atë futbollistin më të spikatur të turneut deri më tani.
Vlerësime për talentin e Dinamos
Njëri prej gazetarëve të DAZN-it e veçoi posaçërisht paraqitjen e Benkotiqit në analizën e tij.
“Mesfushori Jona Benkotiq është ndoshta futbollisti më i spikatur i turneut deri më tani. Ndeshja kundër Senegalit është ajo që do të veçoja në veçanti. Shikoni sa shpesh arrinte të gjente hapësira ndërmjet linjave kundër një përfaqësueseje të organizuar mirë si Senegali”, shkroi gazetari.
Jona Benkotiq ka lindur më 20 mars 2009 dhe është pjesë e Dinamos së Zagrebit, ku aktivizohet me ekipin e juniorëve dhe skuadrën e dytë. Ai nënshkroi kontratë profesionale me klubin në nëntor të vitit të kaluar.
Në fazën e 1/16-ës së finales, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Marijan Budimir do të përballet të hënën me Uruguain.